Tre propozimet e reja të qeverië shqiptare për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg janë Sokol Berberi, Aurela Anastasi dhe Elira Kokona.
Qeveria Rama ndryshoi kandidaturat e saj, pasi në shtator Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rrëzoi listën e parë të qeverisë, ku kandidatë ishin Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama.
Sokol Berberi, i vetmi kandidat që është ripropozuar nga qeveria, deri në tetor 2016 ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Zoti Berberi dha dorëheqjen pas pezullimit të ligjit të vetingut nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë ai ka mohur se dorëheqja e tij ka lidhje me ligjin e vetingut.
Prof. Dr Aurela Anastasi njihet si eksperte e të drejtës kushtetuese. Ajo prej më shumë se 20 vjetësh jep mësim në Fakultetin e Drejtësisë. Zonja Anastasi ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të lartë të angazhuar në fazën e parë të hartimit të reformës në drejtësi.
Elira Kokona është aktualisht sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës. Më parë ajo ka qenë Drejtoreshë e Shkollës Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri.
Zonja Kokona ka qenë një nga avokatët që mbrojtën në Gjykatën e Strasburgut Mihal Delijorgjin, pronarin e kompanisë Albademil, akuzuar si shkaktarja e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.
Në opinionin publik, Zonja Kokona u bë e njohur kur, me anë të një statusi në Facebook, u shpreh entuziaste për fitoren e Mihal Delijorgjit ndaj shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut.