
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kandidati demokrat për qarkun Gjirokastër, Tritan Shehu, komentoi në një intervistë për News24 procesin e vaksinimit kundër COVID-19 në vend.
Shehu kërkoi që edhe Shqipëria të ndjek shembullin e vendeve europiane që kanë pezulluar përdorimin e vaksinës Astrazeneca, së paku deri sa të shprehet Agjencia Europiane e Barnave.
“Unë sygjeroj të bëjmë një pauzë, të presim EMA-n, siguria është në radhë të parë, dhe parimi bazë i mjeksisë është të mos dëmtojë. Duhet parë me seriozitet, jo me aventurizma elektorale,” u shpreh Shehu .
Përsa i përket vendimit të qeverisë për t’i hapur rrugën vaksinimit me vaksina ruse dhe kineze, ai u shpreh i habitur pasi ato nuk janë miratuar as nga Agjensia Europiane e Barnave, as nga ekuivalenti i saj FDA, në SHBA.
Shehu shtoi se Shqipëria duhet të udhëhiqet nga organizmat ndërkombëtar në fushatën e saj të vaksinimit.