Presidenti i shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump prezantoi dje planin me masa dhe këshilla për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.
I quajtur ’15 ditë për të ngadalësuar përhapjen’, plani i administratës Trump thotë:
– Dëgjo dhe ndiq këshillat e autoriteteve shtetërore lokale dhe vendore.
– Nëse ndiheni të sëmurë, qëndroni në shtëpi. Mos shkoni në punë. Telefononi qendrën mjekësore.
– Nëse fëmijët tuaj janë sëmurë, mbajini ata në shtëpi. Mos i dërgoni në shkollë. Telefononi qendrën mjekësore.
– Nëse dikush në shtëpinë tuaj është testuar dhe ka rezultuar i prekur nga koronavirusi, qëndroni të gjithë në shtëpi. Mos shkoni në punë ose shkollë. Telefononi qendrën mjekësore.
– Nëse jeni i moshuar, qëndroni në shtëpi dhe mbani distancë nga njerëzit e tjerë të familjes.
– Nëse keni sëmundje të tjera apo gjëndje imunitare të dobët, qëndroni në shtëpi dhe mbani distancë nga njerëzit e tjerë të familjes.
Edhe nëse jeni i ri dhe i shëndetshëm, ju rrezikoni të prekeni nga koronavirusi dhe të vini në rrezik jetën e të tjerëve. Është thelbësore që ju të bëni pjesën tuaj në ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit.
– Punoni ose studioni nga shtëpia, nëse është e mundur.
– Nëse punoni në indrustri të cilat Departamenti i Sigurisë i ka kategorizuar si thelbësore si shërbimet mjekësore, farmaceutike apo ushqimore, ju keni përgjegjësi të veçantë për të vazhduar rutinën e zakonshme të punës. Ju duhet të ndiqni të gjitha masat e autoriteteve për tu mbrojtur gjatë punës.
– Shmangni takimet sociale me më shumë se 10 persona.
– Shmangni daljet në bare dhe ristorante – mund të vazhdoni të porosisni në telefon.
– Shmangni udhëtimet, daljet për pazare dhe vizitat sociale.
– Mos shkoni në shtëpitë e të moshuarve ose qendrat që ofrojnë kujdes shëndetësor.
– Kujdesuni për higjenën personale:
- Lani duart me ujë dhe sapun, veçanërisht pas prekjes së sipërfaqeve të ndryshme.
- Shmangni prekjet e fytyrës.
- Teshtini ose kollituni në shami letre ose në pjesën e brendshme të brrylit.
- Dezinfektoni sipërfaqet dhe mjetet që përdorni më shpesh.
Aktualisht në Amerikë numri i personave të prekur nga koronavirusi është 4661, ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e komplikacioneve që shkakton koronavirusi është 85.