Në vitin 2014, INSTAT ka zhvilluar studime të thelluara në sipërmarrjet shqiptare dhe rezultatet—që duhen marrë me rezerva—janë të habitshme.
Mund të çuditeni po të mësoni se në Shqipëri janë 2,7 të punësuar në turizëm për çdo të punësuar në industrinë minerare dhe nxjerrëse, përfshi naftën, dhe që këta të punësuar në turizëm prodhojnë mesatarisht 17 euro në ditë, kundrejt 190 euro që prodhojnë minatorët dhe naftënxjerrësit.
Por, problemi i vërtetë është që për çdo të punësuar në turizëm, gjatë viti 2014, janë bërë 250 euro investime, ndërsa për çdo të punësuar në industrinë e nxjerrjes minerare janë bërë 100 herë më shumë investime.
Një e dhënë tjetër e çuditshme është që në sektorin e restoranteve dhe hotelerisë, 14 637 sipërmarrjet ekzistuese deklarojnë mesatarisht 2,5 të punësuar, përfshirë pronarët e familjarët e tyre, për kompani. Kjo do të thotë që , sipas të dhënave zyrtare, në hotele e restorante punojnë, praktikisht, vetëm rojet.
Fitimi mesatar është vetëm 2 mijë euro në vit për çdo kompani, por shpenzimi mesatar për paga është vetëm 150 mijë lekë në vit për çdo të punësuar; pra rroga mesatare në sektor është 12 500 lekë në muaj!
Nëse e shihni gotë gjysëm bosh ose gjysëm plot, kjo do të thotë që turizmi i shumë përfolur shqiptar sot nuk ekziston, ose, për më optimistët, që turizmi në Shqipëri ka ende mundësi të mëdha zhvillimi. Ose të paktën për uljen e informalitetit.