Turzimi shqiptar: në varkat me vela “shëtit” kanabis dhe jo turistët

Turzimi shqiptar: në varkat me vela “shëtit” kanabis dhe jo turistët

1 ton kanabis dhe dy skafistë u sekuestruan nga policia e Vlorës, para pak ditësh rreth, ndërsa e  transportonin drogën me një anije italiane me vela me emrin Nino Nini. Personat e arrestuar ishin një shqiptar dhe një italian, Giovani Palladino.

Është hera e parë që policia sekuestron një mjet me shpejtësi të ulët, si anijet me vela, që përdoret për transportin e kanabisit. Në fakt, si për përvoje edhe për shkak të shpejtësisë, trafikantët kanë përdorur gjithmonë gomone me motor për të qenë më të shpejtë dhe për t’i shpëtuar policisë shqiptare, dhe madje edhe forcave italiane të Guardia di Finanza.

Ka patur raste kur janë sekuestruar skafe të zakonshëm, (pra,  jo gomone), por të pajisur me motorë që i bëjnë ata shumë të shpejta.

Përdorimi i varkës me velë, edhe pse e ngadaltë, ka shumë përparësi, në veçanti gjatë stinës së verës. Ato mund të afrohen në breg të detit pa bërë zhurmë, kanë kapacitet më të madh ngarkese dhe janë më ekonomike për transport, gjë që është bërë e rëndësishme pas rënies së çmimeve të shkaktuara nga prodhimi i lartë i korrjeve të vitit 2016.

Përdorimi i varkave— në veçanti atyre me vela që janë simbol i sportivitetit dhe pastërtisë—për të zhvilluar aktivitet të paligjshëm ka shumë precedentë. Mjafton të kujtosh këtu Brigadat e Kuqe, të cilat shkuan deri në Liban me një varkë me vela për të marrë armë lufte dhe për t’i sjellë në Itali pa probleme.

Kjo dukuri, nëse bëhet rrugë, mund të prodhojë probleme të zhvillimit të turizmit detar dhe të jahteve, duke sjellë procedura më të rrepta kontrolli, të cilat zakonisht shkurajojnë ata pak guximtarë që zgjedhin të lundrojnë në ujërat shqiptare.

Një shembull jo i largët është ai i moratoriumit të mjeteve lundruese, i cili për disa vite ndaloi udhëtimin e çdo varke me fuqi më të lartë se 25 kuaj, gjë e cila nuk i ndaloi trafikantët klandestinë, por rezultoi fatale për zhvillimin e shumë projekteve të porteve turistike.

Edhe një herë, ashtu sikurse thotë një proverb ekonomik, “paraja e keqe nxjerr jashtë tregut paranë e mirë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>