Përfshirja e bizneseve të vogla me xhiro mbi dy milionë lekë në skemën e TVSH-së nga prilli 2018 duket se ka pasur efekt negative në klimën e biznesit, duke rritur më tej evazionin fiskal dhe informalitetit.
Gazetarja Ledina Loga, në një shkrim për Monitor, ka intervistuar sipërmarrës të vegjël e të mëdhenj për t’i pyetur se si ka ndikuar përfshirja në skemën e TVSH-së së biznesit të vogël, në gjithë klimën e biznesit.
Ndër të tjera, gazetarja Loga shkruan:
“Ndërsa biznesi i vogël deklaron se ulja e pragut për deklarimin e TVSH-së i ka vendosur përpara vështirësive, biznesi i madh, veçanërisht industria përpunuese në vend, ka filluar të ndiejë rënin e aftësisë shitëse, pasi të vegjlit, në një efekt bumerang, kanë rritur më shumë rezistencën për t’u pajisur me faturë.
Pjesa më e madhe e kompanive përpunuese në vend, të cilat shesin me shumicë te bizneset e vogla, deklarojnë se po hasin rezistencë të shtuar nga bizneset e vogla, të cilat nuk pranojnë mall me faturë. Industria përpunuese po preket në zinxhir, nga përpunimi dhe grumbullimi i qumështit, te përpunimi i qumështit, tregu i vezëve dhe ai i birrës.
Saimir Begaj, drejtues i kompanisë Erzeni, që merret me grumbullim, përpunim dhe tregtim të qumështit dhe nënprodukteve të tij tregon se ulja e pragut të TVSH ka pasur ndikim negativ në shitjet e kompanisë së tij. “Edhe pse jemi munduar të qëndrojmë korrekt, ulja e pragut të TVSH-së na ka dëmtuar”.
Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë “Lufra”, tha se ka filluar që të ndihet rezistenca e bizneseve të vogla për t’u furnizuar me mall me faturë. Sipas Ndrekës, kjo po ndodh në një moment ku tatimorët e kanë larguar vëmendjen nga biznesi i vogël dhe janë fokusuar në inspektimet në bregdet.
Edhe kompanitë që operojnë në sektorin e përpunimit të mishit pohojnë se kanë hasur vështirësi në shitjen e produkteve të tyre te pakica. Nesti Tarusha, administrator i kompanisë FIX, thotë se e njëjta situatë ka qenë edhe për kompaninë e tij: “Bizneset e vogla tentojnë që të mos e kalojnë pragun e kalimit me TVSH, duke refuzuar të marrin faturimet tona.”
E ndërsa biznesi i madh thotë se po has rezistencë ndaj bizneseve të vogla për të faturuar mallrat e shitur, edhe bizneset e vogla akuzojnë për faturime fiktive, të cilat nuk i japin mundësi që të shkarkojnë TVSh-në në shitje.
Ahmet Gjinishi, kontabilist dhe ekspert fiskal, tregon nga përvoja e tij se disa prej importuesve deklarojnë mall me vlerë të ulët në doganë dhe kur shesin te tregtarët e vegjël iu lëshojnë fatura me çmime fiktive. “Një pjesë e biznesit të vogël nuk ka mundësi që të kreditojnë TVSH të lartë”,- thotë ai.
Elona, prej shumë kohësh ka hapur një dyqan ku tregton rroba me pakicë. Edhe pse e ka nisur aktivitetin prej pak kohësh, u përfshi në skemën e TVSH-së.
Problem kryesor për sa i përket TVSH-së është faturimi fiktiv i bizneseve të mëdha ku ajo bën furnizimet. “Për një bluzë që unë e marr me çmim real prej 1200 lekësh, biznesi ku bëj furnizimin ma faturon me vlerë 500 lekë. Përveçse kreditoj një shumë të ulët të TVSH-së, e nxjerr biznesin tim sikur punon me marzhe të larta fitimi. Në rast kontrolli nga tatimorët, kjo do më nxirrte zbuluar”, – tregon ajo për “Monitor”.
Megjithatë, përveç çmimeve më të ulëta, Elona thotë se shpesh edhe njësitë që blen nuk i merr të deklaruara plotësisht.
“Tani që jam e përfshirë në skemën e TVSH-së, më intereson që mallin ta marr me faturë të saktë, por grosistët nuk tolerojnë dhe në rast se kërkojmë fatura të sakta, nuk pranojnë të na shërbejnë”, – shton ajo.
Elona thotë se përpiqet që të mos presë kuponë tatimorë përtej një shume të caktuar, që ia ka thënë ekonomistja, e cila i bën mbylljet vjetore. Si arsye kryesore të këtij veprimi, për të cilin ajo është e ndërgjegjshme që është kundër ligjit, është frika e dështimit të biznesit.
“Në rast se do t’i deklaroj të gjitha, detyrimet do të jenë aq të larta sa nuk do të mbyll dot as shpenzimet dhe jo më të nxjerr një fitim për vete” – shton ajo.
Të njëjtën arsye për “evazionin” me prerjen e kuponëve e jep edhe pronari i bar-kafesë që punon ngjitur me dyqanin e Elonës. Ai tregon se grosistët e kafesë nuk i lëshojnë fatura të sakta. Pronari thotë se ka vendosur të rrezikojë duke qenë i ndërgjegjshëm se ndryshe nuk ia del dot. “Nëse deklaroj çdo kafe në dyqan, unë nuk ia dal dot. Qiranë e kam shumë të lartë, edhe pse në kontratë kemi deklaruar një shumë disa herë më të ulët.
Përveç bizneseve të mëdha që nuk lëshojnë fatura të sakta, janë edhe bizneset e vogla që nga frika se mos kalojnë në fashën e përfshirjes me TVSH, nuk pranojnë që të marrin fatura nga grosistët. Burime nga tregu pohuan se ulja e kufirit e ka shtuar dhe më shumë këtë tendencë, pra subjektet e vogla po kryejnë furnizime në minimum, në mënyrë që të mos kalojnë pragun e 2 milionë lekëve.
FMN-ja dhe ekspertët e ekonomisë e kishin paralajmëruar se vendosja e pragut të TVSH-së do të rriste informalitetin në vend.”