Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për tre gjyqtarët që akuzohen se u korruptuan me një biletë për El Classico-n Real Madrid-Barcelona.
Petrit Ceno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, të tre gjyqtarë të Apelit Durrës, u dërguan për gjykim nëntorin e vitit e shkuar me akuzën e korrupsionit së bashku me biznesmenin Namik Sadiku.
Ata akuzohen se kanë përfituar nga biznesmeni Sadiku udhëtime të shpeshta jashtë shtetit, përfshirë këtu edhe një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid-Barcelona.
Nga ana tjetër ata kanë ndikuar në vendimin pro Sadikut në një çështje civile.
Prokuroria ka si prova udhëtimet dhe akomodimet në të njëjtën kohë dhe vend të gjyqtarëve me biznesmenin në Itali dhe Spanjë si dhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani.
Prej 9 majit të këtij viti, procesi gjyqësor në ngarkim gjyqtarëve të Apelit Durrës dhe biznesmenit Sadiku ka dështuar disa herë, për mungesën e avokatëve apo dhe prokurorit të çështjes.
Pas vendimit më të fundit çështja pritet të ketë zhvillime dhe seanca radhës do të mbahet më 24 korrik.