Udhëheqësit e Austrisë, Republikës Çeke, Bullgarisë, Sllovenisë dhe Letonisë i kanë dërguar një letër Bashkimit Evropian duke kërkuar një takim mbi shpërndarjen e vaksinave COVID-19 brenda bllokut pasi Austria pretendon se është e pabarabartë, raporton Reuters.
Kancelari austriak Sebastian Kurz tha një ditë më parë se dozat e vaksinave nuk po shpërndaheshin në mënyrë të barabartë midis vendeve anëtare pavarësisht një marrëveshje brenda bllokut për ta bërë shpërndarjen sipas popullsisë. Ai fajësoi marrëveshjet e veçanta të bëra midis bordit drejtues të vaksinimit të BE dhe kompanive farmaceutike.
Kurz tha në Twitter të shtunën se ai dhe katër homologët e tij kishin bërë thirrje në një letër të përbashkët për diskutime për të gjetur “një zgjidhje evropiane”. Letra, drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, u botua nga media austriake.
“Në ditët e fundit … ne kemi zbuluar se … shpërndarjet e dozave të vaksinave nga kompanitë farmaceutike në vendet anëtare të BE nuk po bëhen në mënyrë të barabartë duke ndjekur raportin e popullsisë”, thuhej në letër.
“Prandaj, ne ju bëjmë thirrje, Charles, të zhvilloni një diskutim mbi këtë çështje të rëndësishme midis udhëheqësve sa më shpejt të jetë e mundur.”
Malta do të ketë tre herë më shumë doza vaksinash në krahasim me popullsinë e saj deri në fund të qershorit sesa Bullgaria, ka thënë Kurz.
Partitë e opozitës kanë akuzuar Kurz për përpjekje për të hequr fajin për ritmin e ngadaltë të vaksinimeve larg tij.
Një zyrtar i BE tha se Michel kishte marrë letrën dhe një samit i udhëheqësve ishte planifikuar tashmë për 25 dhe 26 Mars.
“Koordinimi i COVID përsëri do të adresohet nga 27 anëtarët gjatë atij takimi,” tha zyrtari, pa specifikuar nëse kjo përfshinte shpërndarjen e vaksinave.