Udhëheqësit mysliman të 57 vendeve, pjesë e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, zhvilluan të dielën një takim urgjent për të diskutuar sulmet mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gaza, sipas një raporti të AP.
Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të angazhohet për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake të Izraelit kundër Gazës dhe të lejojë dërgimin e ndihmave.
Ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez, Riad Malki, nga Ramallahu në Bregun Perëndimor, akuzoi Izraelin si një “shtet aparteid” që praktikon “krime dhe brutalitet kundër popullit palestinez në Gaza”.
“Duhet t’i tregojmë Allahut se do të rezistojmë deri në ditën e fundit. Ne përballemi me një pushtim afatgjatë – ky është thelbi i problemit. Nuk ka pasoja për krimet e kryera kundër palestinezëve ”.
Malki u kërkoi vendeve myslimane të mbështesnin popullin palestinez si dhe të vendosnin sanksione politike dhe ekonomike kundër Izraelit.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, fajësoi Izraelin për dhunën e fundit.
“Vetëm Izraeli është përgjegjës për përshkallëzimin e fundit në Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gaza”, tha Cavusoglu.
Ministri i Jashtëm iranian Zarif akuzoi Izraelin për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Por përkundër vendeve që përkrahin Palestinën, janë vendet si Arabia Saudite, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë nënshkruar marrëvëshje për njohjen e Izraelit.
Shqetësimi që disa prej vendeve myslimane në rajon kanë mbi Hamasin militant dhe rolin e tij në përshkallëzimin e konfliktit, ka bërë që reagimi në mbështetje të Palestinës të jetë i ndarë.
“Rezistenca nuk do të dorëzohet,” u shpreh kreu i organizatës militante të Hamasit, Izmail Haniyeh, i mbështetur nga Turqia dhe Katari.
Ai shtoi se rezistenca është rruga më e shkurtër për në Jeruzalem dhe se palestinezët nuk do të pranojnë asgjë më pak se një shtet palestinez me Jeruzalemin si kryeqytet.
Konflikti i vjetër mes Izraelit dhe Palestinës u ndez pas vendimit të një gjykate për shpërnguljen e disa banorëve palestinez për të bërë vend për kolonë izraelit.
Pas ditësh përleshjesh mes protestuesve palestinez dhe policisë izraelite, organizata militante Hamas përshkallëzoi situatën duke sulmuar me raketa Izraelin.
Husein Ibish, një studiues i vjetër në Institutin Arab të Gjirit në Uashington, tha se shumica e liderëve arabë të Gjirit kanë frikë nga raketat e Hamasit, të cilin e konsiderojnë “cinik, të rrezikshëm, provokues të panevojshëm dhe që rrezikon izraelitët dhe palestinezët në Gaza njësoj”.