Udhëtimi privat i Kryeministrit në Miami – Koment

Nga Exit
Udhëtimi privat i Kryeministrit në Miami – Koment

Kryeministri Edi Rama së bashku me bashkëshorten, është nisur dje për në Miami të SHBA-ve, për një vizitë private disa ditore.

Lajmi është përcjellë nga disa media duke dhënë si arsye të udhëtimit pushime bashkë me familjen. Por ka reaguar menjëherë zyra e Kryeministrit Rama e cila u ka dërguar një e-mail mediave ku thuhet:

“Zoti Rama dhe bashkëshortja do të marrin pjesë në një gëzim familjarë të miqve të familjes së tyre. Udhëtimi do të zgjasi tre ditë. Çdo koment tjetër mbi këtë udhëtim është spekullim.”

Ka tre gjëra që nuk bëjnë shumë sens në këtë “sqarim”.

Së pari, njoftimi përgënjeshtrues konfirmon atë që kanë thënë edhe mediat, pra që Kryeministri po udhëton për qejf në Amerikë. Gëzimi i miqve të familjes në çdo lloj pikëpamje është qejf. Ndaj, reagimi me ton i zyrës së Kryeministrit duket më shumë si reagim nervoz për faktin se u bë publik një udhëtim që ishte vendosur të mbahej i fshehtë se sa përgënjeshtrim i ndonjë pretendimi të paveërtetë.

Së dyti, zyra e Kryeministrit duket se e ka të paqartë se ka një ndryshim të madh mes standarteve të një qytetari të thjeshtë dhe Kryeministrit. Kryeministri i një vendi nuk mund të lërë punën e tij për qejfe të vetat apo të shokëve dhe, në përgjithësi, për ngjarje që nuk i përkasin familjes së ngushtë. Edhe një qytetar i thjeshtë do ta kishte të vështirë të merrte leje 3-4 ditë nga puna për t’ja mbathur në gëzime shokësh. Ndërsa prania e Kryeministrit në të shkuarën në ngjarje shokësh e miqsh në Tiranë mund të anashkalohen, ikja e Kryeministrit jashtë vendit për gëzime shokësh është një veprim, të paktën, i diskutueshëm etik e moral për një Kryeministër.

LEXO  Paloka: Ahmetaj ministër për Rindërtimin tregon se Rama vjedh dhe në fatkeqësi

Së treti, zyra e Kryeministrit duket se e ka të paqartë që udhëtimet e udhëheqësve në vende të tjera janë të kufizuara dhe nuk mund të bëhen sipas dëshirës. Ka procedura dhe rregulla të qarta për udhëtimet e një Kryeministri dhe kosto të caktuara. Ndërsa rregullat duket se janë shkelur, nuk dihet nëse kostot e këtij udhëtimi paguhen të gjitha nga vetë Kryeministri përfshi jo vetëm udhëtimin por edhe të rojeve fizike nëse ka patur të tilllë me vete.

 

Lajme te ngjashme