UEFA zyrtarizoi pasditen e sotme vendimin për të shtyrë dy ndeshje të Champions League-ës, ndërkohë që të paktën 2 lojtarë janë konfirmuar deri më tani me koronavirus disa skuadra janë vënë në karantinë dhe Euro 2020 është vënë në pikëpyetje.
Juventus-Lyon dhe Manchester City-Real Madrid, nuk do të luhen javës tjetër. Vendimi u zbardh nga UEFA pasi skuadrat e Juventusit dhe Realit të Madridit u vunë në karantinë.
Skuadra e Realit u vu në karantinë pasi një basketbollist rezultoi me koronavirus. Reali ka edhe skuadër futbolli edhe basketbolli. Të dyja ekipet ndajnë të njëjtin mjedis sportive.
Në Itali futbolli u pezullua tërësisht pas gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa mbrëmjen e së mërkurës mbrojtësi i Juventusit, Daniele Rugani rezultoi me koronavirus. Kjo nxiti që skuadra të vihej në karantinë.
Përveç Ruganit, i infektuar rezultoi sot edhe sulmuesi i Sampdorias, Manolo Gabbiadini.
Koronavirusi ka shtyrë dy ndeshje në Europa League – Sevilla-Roma dhe Getafe-Inter – ndërsa ka detyruar që disa të tjera të luhen sot pa tifozë.
Zyrtarisht UEFA ka në diskutim pezullimin e plotë të futbollit në Evropë dhe në këtë pjesë përfshihet edhe kampionati Evropian.
Bosnje e Hercegovina i ka kërkuar UEFA-s shtytjen e ndeshjes kualifikuese me Irlandën e Veriut. Vendimi pritet të merret të martën e javës së ardhshme.
Kampionati Evropian zhvillohet prej vitit 1960 dhe nuk është anuluar asnjëherë.