Të dielën e shkuar, isha ulur në një nga lokalet e qendrës së Tiranës, kur pranë tavolinës sime u ulën një grup delegatësh të kongresit të Partisë Socialiste. Nga theksi dhe biseda dukeshin se vinin nga një një prej krahinave të largëta të vendit.
Dihet, tek ne, gjithçka ndodh në tavolinat e bareve, madje edhe gjërat më sekrete. E kështu delegatët, që me siguri nuk e hapën gojën në kongres, filluan ta komentonin kongresin aty, në mes të kafenesë, me zë mjaftueshëm të lartë sa mund t’i dëgjoja nga ku isha ulur.
Mes delegatëve, një zotëri në moshë, me siguri veteran i shumë betejave socialiste, me ton autoritar dhe zë të qartë e përshkroi humbjen e Blushit si një rezultat që do të mbahet mënd gjatë, duke theksuar se numrat treguan forcën e madhe të Ramës.
Një zonjë—tashmë jo më e re dhe jo aq e bukur sa dukej se kishte qenë dikur—ia ktheu qetësisht se numrat nuk tregojnë gjë, se edhe ajo vërtet kishte votuar kundër Blushit për të respektuar disiplinën si delegate, por nëse gjërat do vazhdonin kështu si po shkojnë, në zgjedhjet e ardhshme ajo do të votonte për Ilir Metën.
Delegatët e tjerë të tavolinës nuk u dukën fare të shqetësuar nga kjo deklaratë, madje tundën kokën, pa u kuptuar mirë nëse tundja ishte aprovim i pohimit që gjërat po shkojnë keq apo konfirmim që edhe ata mund të votojnë Metën në zgjedhjet e ardhëshme.
Pagova birrën time dhe ika.
Kjo bisedë, në thjeshtësinë e saj më të bukur, tregon tre gjëra jo dhe aq banale:
Çfarë lloj njerëzish politikë jemi: të shtypur nga një seri e pafundme kërcënimesh të vogla personale, i jemi rikthyer disiplinës partiake edhe në kongresin e partisë, që duhet të ishte vendi më i përshtatshëm për të shprehur opinionet personale, si një alibi e padenjë për frikën atavike që kemi për të thënë atë që mendojmë; por si mund të ndërtojmë një demokraci, nëse frika sundon e padiskutueshme mbi kundërshtitë tona?
Fuqinë politike të Ramës: e sanksionuar në kongres me një shumicë të denjë për partitë komuniste para rënies së Murit të Berlinit, në të vërtetë është e ngritur mbi një ndërthurje mashtrimesh e kërcënimesh, ose të paktën mbi frikë, të ndërtuara qëllimisht nga vetë Rama mbi kujtimin, ose më mirë mbi refleksin e kushtëzuar, të një kohe që të gjithë shpresonin se ishte harruar; prandaj, është një kështjellë që mund të shëmbet në çast.
Tashmë alternativa e popullit socialist është Ilir Meta: vetëm pak kohë më parë, Ilir Meta konsiderohej nga gati të gjithë socialistët shqiptarë si shembulli i një politikani model i korrupsionit dhe që duhej dënuar; por falë degradimit politik e qeverisës të krijuar nga Rama, Meta është rikthyer në mënyrë prepotente në skenë si opsioni më i arsyeshëm për qeverinë e vendit, dhe pikërisht për ata zgjedhës socialistë që e donin në burg.
Sa gjëra mund të mësohen në një kafene në Tiranë!