Unë jam industrialist dhe jo biznesmen

Nga Carloalberto Rossi
Unë jam industrialist dhe jo biznesmen

Në fund të rrugës pedonale në Berat, të del përpara një ndërtesë madhështore e papërshtatshme për vendin, e dominuar nga një kupolë që, ndoshta, projektuesi e ka berë për të imituar Godinën e Kongresit në Uashington apo Institutin e Teknologjisë së Masaçusets.

Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga një histori tipike shqiptare e periudhës së tranzicionit, Universiteti i Beratit.

E ndërtuar nga një nënoficer i ushtrisë shqipare, i cili në fillim u bë sipërmarrës i stomatologjisë e më pas pronar i universitetit më të madh privat shqiptar, dhe në fund deputet. Sot universiteti është mbyllur, monument i kotë i mëndjemadhësisë së injorantëve dhe të pasuruarve, ndoshta për shkak të problemeve me drejtësinë për pronësinë e tokës ose thjesht sepse askush nuk është më i gatshëm të paguajë për të bërë universitetin në Berat.

Në krah të këtij mauzoleumi të padurueshëm, në të majtë ndodhet një ndërtesë e vogël një katëshe, e lyer me të bardhë me një flamur të vogël shqiptar, me mbi shkrimin Porta e Hapur.

Në brendësi, një kuzhinë dhe një sallë e vogël, e pastër, presin të varfër dhe njerëz në nevojë për të marrë falas një pjatë të ngrohtë, ndoshta pa e ditur as ata vetë se kush po ia dhuron.

Në njërën anë, simboli i kudogjendur i një modeli mëkatar dhe të paqëndrueshëm, pasojë e delirit të gjithëpushtetshmërisë së parasë, instrumenti për t’u zhvatur para familjeve shqiptare me premtimin e një diplome të mjaftueshme për të hyrë në administratën publike.

Nga ana tjetër, një vepër bamirësie, apo solidariteti shoqëror dhe njerëzor, pa financime evropiane apo shtetërore, por e dashur, e krijuar dhe e mbështetur nga të ardhurat e ligjshme dhe të tatueshme, të ardhura nga eksportimi i punës së një sipërmarrje efikase dhe moderne, e krijuar nga një njeri me zemër dhe me karakter që quhet Gazmend Toska.

Gazmendi është një njeri trupshkurtër, me kokë të rrumbullakët, me syze të rrumbullakta metali që mezi kornizojnë dy sy të gjallë. Është rreth të gjashtëdhjetave, por shpërndan energji dhe zgjuarsi—një lloj energjie të kanalizuar, tē kontrolluar, të drejtuar nga një inteligjencë pa teka, që ka prodhaur një forcë të thellë dhe të qetë.

Ai mendon se janë njerëzit që prodhojnë gjëra, dhe se janë fabrikat, ku punojnë njerëzit, që krijojnë pasurinë e një vendi.

E ka mësuar në Francë, në fillim si student, e më pas si hulumtues, dhe në fund si drejtues dhe sipërmarrës në sektorin e tekstileve. Në fakt, prej vitesh mban titullin e Këshilltarit për Tregtinë e Jashtme në qeverinë franceze.

Ka kompani në Francë, por flet vetëm për krijesën e tij të fundit, një kompani konfeksionesh në Berat, që prodhon çarçafë dhe mbulesa tavolinash pambuku për tregun evropian, ku punojnë më shumë se 250 persona. Pa borxhe, pa banka, gjithmonë duke riinvestuar të ardhurat.

Por Gazmendi është një shqiptar nga Berati, dhe kështu do të qendrojë, dhe si një shqiptar i mençur citon Nënë Terezën si mësuesen e tij të jetës: “Nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, mund të bëjmë vetëm gjëra të vogla, por me zemër të madhe”.

Dhe kur e pyet nëse mund ta citojmë emrin e tij, heziton pak, më pas saktëson: “Por mos më quaj biznesmen, unë jam një industrialist, që prodhon pasuri edhe për shoqërinë, pjesa më e madhe e biznesmenëve shqiptarë pasurinë e përdorin vetëm për konsum.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>