Universiteti i Mjekësisë do të vazhdojë mësimin online. Provimet do të nisin më 23 qeshor. Ato do të zhvillohen në grupe të vogla me shkrim, ose me gojë online nëse e mundëson platforma. Studentët e viteve të fundit do të kryejnë praktikën mësimore pranë spitaleve të caktuara. Vendimi u publikua sot nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata. Në vendim sqarohet se:
Ata që nuk kanë provime të mbartura do të nisin punimin e diplomës dhe dorëzimin e saj në korrik 2020, këtu përfshihen edhe studentët e parashikuar për të mbrojtur diplomën në muajt e parë të 2020.
Për pranimet në specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë, për vitin akademik 2019-2020, nuk do të zhvillohet intervista me gojë dhe por vetëm testimi i informatizuar, pas datës 23 qershor.
Vlerësimi i kandidatëve për vitin 2019-2020 të bëhet me sistem pikësh maksimumi 1000 pikë të konvertuara, 30% e pikëve (300 pikë të konvertuara) do të vijnë nga nota mesatare e ponderuar (e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore) dhe 70 % (700 pikë të konvertuara, të rrumbullakosura me dy shifra pas presjes dhjetore) do të vijnë nga testimi i informatizuar sipas përcaktimeve në nenin 38 të Rregullores së specializimeve miratuara nga Senati Akademik.
Kandidatët që kanë grumbulluar jo më pak se 380 pikë nga numri i pikëve totale të konvertuara (maksimumi 1000 pikë), kualifikohen për procesin e përzgjedhjes së programit të specializimit sipas sistemit të meritës.
Komisioni për mbrojtjen e doktoraturave dhe për dhënien e titujve akademik do të vazhdojë punën. Ata do të mblidhen fizikisht duke ruajtur distancimin social ose online.