Të dhënat e para nga Anglia dhe Skocia tregojnë se vaksinat kundër COVID-19 po zvogëlojnë numrin e personave të shtruar në spital dhe numrin e viktimave.
Vaksina duket se po parandalon transmetimin e koronavirusit, raportuan zyrtarët e shëndetit publik anglez dhe skocez të hënën.
Shkencëtarët në Angli vlerësuan se nivelet e shtrimit në spital dhe numri i vdekjeve do të bien rreth 75 përqind tek ata që marrin një dozë të vetme të vaksinës BioNTech / Pfizer.
Kjo mund të jetë një “nënvlerësim”, sipas Mary Ramsay, shefe e imunizimit në Shëndetin Publik Angli. Analiza përfshiu njerëz të vaksinuar 14 ditë më parë dhe për këtë arsye nuk mat katër javët që duhen për të llogaritur plotësisht rritjen e mbrojtjes , sidomos tek njerëzit e moshuar, tha ajo.
Ky lajm vjen teksa Britania e Madhe po njofton planet për heqjen e kufizimeve , të cilat përfshijnë lejimin e të gjithë fëmijëve që të kthehen në shkollë në 8 Mars dhe lejimin e grupeve deri në gjashtë persona duke filluar nga 29 Marsi.
Për personat rreth 80 vjeç doza e parë e vaksinës është 57 përqind e efektshme në parandalimin e COVID-19. Kjo rritet në më shumë se 85 përqind pas dozës së dytë.
Grupi më i ri i vaksinuar – punonjës të kujdesit shëndetësor nën 65 vjeç – treguan një mbrojtje prej 72 përqind kundër infeksionit me një dozë të vetme, duke u rritur në 85 përqind pas dozës së dytë. Punonjësit e kujdesit shëndetësor në studim testohen çdo dy javë.