Dalja e vaksinave të para kundër COVID-19 shihet me optimizëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Drejtori i rajonit të Europës, Hans Kluge, tha se premisa e miratimit të vaksinave do të ‘ndryshojë rregullat e lojës’ por nënvizoi gjithashtu nevojën e kategorizimit në përdorimin e saj.
Duke folur nga Kopenhagen, z. Kluge foli për sasi të limituara të vaksinës në këtë kontinent, së paku në këtë fazë të parë.
“Së pari dhe pa asnjë dyshim, premisa e vaksinave është fenomenale, Shpërblimi është ndryshimi i rregullave të lojës. Me më shumë se 200 vaksina, kandidate për vaksinën kundër Covid-19, e ardhmja duket ndjeshëm më e ndritshme. Me furnizimet që në këtë fazë të parë pritet të jenë në sasi të limituar, të gjitha vendet do të duhet të vendosin se cila kategori do të vaksinohet e para. Rekomandimi ynë janë punonjësit e shëndetësisë dhe ata social, më pas janë qytetarët të moshës nga 60 vjeç e lart”, u shpreh Hans Kluge.
Javën e ardhshme, Britania do të nisë përdorimin e vaksinës së Pfizer kundër Covid-19. Të parët që priten ta marrin janë shtresat më të rrezikuara dhe punonjësit e spitaleve. Autoritetet në Britani janë shprehur se synimi i tyre është vaksinimi i 67 milionë banorëve, pa asnjë përjashtim, edhe pse vaksina nuk do të jetë me detyrim.
Europa dhe SHBA, janë ende në pritje, edhe pse paraprakisht kanë dhënë aprovimin e tyre.
OBSH do të organizojë gjatë javës një takim me ministrat e shëndetësisë së 53 shteteve anëtare të saj, ku fokusi kryesor do të jetë mbrojtja e shkollave.