Rreth 130 persona janë vaksinuar sot në spitalin e Fierit ndaj COVID-19, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu teksa inauguroi procesin sëbashku me kryeministrin Rama.
Manastirliu tha se sot në të gjithë vendin janë kryer 1 mijë vaksinime.
“Janë 500 në Tiranë, janë rreth 200 vaksinime në Shkodër, janë 200 vaksinime në Vlorë, në Fier kemi 130 vaksinimet e para, ku veç spitalit, vijojmë edhe tek shtëpia e të moshuarve”, tha Manastriliu.
Kategoritë që po marrin vaksinën janë punonjësit e spitaleve dhe të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve.
Kryeministri Rama foli përsëri për vaksinimin e “të moshuarve që janë personalitete”, duke thënë se ata janë të moshës mbi 80 vjeç.
Presidenti Meta e quajti “diferencim klasor” këtë nismë. Ndërsa ministrja Manastirliu tha se fushtat e vaksinimit do të vijojë me personalitetet, për të rritur më tej informacionin dhe ndërgjegjësimin në popullatë.
“Në të gjitha fushatat e vaksinimit kudo në Botë janë figura të rëndësishme, personalitete që shërbejnë ne fakt dhe për të motivuar të tjerët që të bëjnë vaksinimin”, tha Manastirliu.
Sipas ministres deri tanin janë vaksinuar mbi 3 mijë mjekë, infermierë dhe të moshuar në të gjithë vendin.
Shqipëria ka marrë aktualisht 9165 doza të vaksinës së Pfizer. Deri në fund të shkurtit sipas kryeministrit Rama do të vijnë gjithësej 40 mijë doza. Rama ka deklaruar gjithashtu se Shqipërisë do t’i dhurohen 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga një vend anonim.