
Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së, deklaroi sot se diplomatë të huaj janë përpjekur t’i mbushin mendjen partive të vogla opozitare për të hyrë në zgjedhje dhe pa Partinë Demokratike, pasi ky mund të jetë shansi i tyre për të marrë më shumë mandate.
Sipas gazetës Panorama, kryetari i PBDNJ-së, parti në koalicion me PD-në dhe prej kohësh në protestë kundër Qeverisë Rama, gjatë një forumi me studentë të UET-së u shpreh:
“Takimet me diplomatët kryesisht kanë qenë në formën e paraqitjes së argumentave të njohura nga ana e partive të opozitës. Na u tha në prani të përfaqësuesve të 4-5 forcave politike që ndoshta mund të ishte një shans i mirë për ne që të përfitonim nga mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhje, për të marrë ndonjë mandat më tepër.”
Duket se kjo është një taktikë e ndjekur dhe më parë nga diplomatët. Kryetari i nismës LIBRA, deputeti Ben Blushi, në fund të marsit, pas takimit me disa ambasadorë, deklaroi se partia e tij është e vendosur të marrë pjesë në zgjedhje, edhe nëse opozita nuk merr pjesë.