Jak Prenga, 49 vjeç, marrë peng dy javë më parë, ka humbur jetën nga dhuna e pengmarrësve. Lajmin e bëri të ditur policia, e cila dha sot variantin zyrtar të ngjarjes.
Policia thotë se më 17 janar, në rrugën London, në Kamëz, disa persona rrëmbyen Prengën. Ata e futën me dhunë në makinë për ta transportuar në resortin “Golden” në Xhafzotaj të Shijakut.
“[…] nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng.”
Nga kamerat e sigurisë së resortit është parë se rrëmbyesit nuk e kanë nxjerrë trupin nga makina. Pasi kanë vënë re se Prenga ka humbur jetën, janë nisur për ta zhdukur. Në kthim për në resort, nga makina kanë zbritur vetëm autorët e krimit.
Për këtë ngjarje policia ka arrestuar Bajram Hajrin, djalin e tij Leonard Hajrin, Olsi Turjen dhe Elton Hajrin. Policia ka shpallur në kërkim dhe 6 persona të tjerë. Ajo po punon ende për gjetjen e trupit të viktimës. Katër të arrestuarit akuzohen për: rrëmbim ose pengmarrje, fshehje ose asgjësim kufome, moskallëzim krimi, veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës dhe armëmbajtja pa leje.
Resorit “Golden” në Shijak është në pronësi të Altin Hajrit, i njohur si narkotrafikant. Pengmarrja dyshohet se është kryer për shkak të prishjes së pazareve të drogës me vëllezërit e Jak Prengës në Angli.