Dorëhiqet drejtuesi i shtatë i hipotekës së Vlorës, Jurgen Pllikati, dy javë pasi u emërua.
Hipoteka e Vlorës ka ndërruar 7 drejtuesë, të gjithë janë dorëhequr, në 9 muajt e fundit dhe 15 që prej vitit 2013.
Pllikati u emëruar me 2 qershor pas dorëheqjes së drejtoreshës Viola Hima, e cila qendroi në detyrë vetëm 3 ditë.
Viola Hima ishte rasti më ekstrem, ajo ndenjë vetëm 3 ditë në punë, u emërua të premten, më 29 maj dhe u dorëhoq të hënën në 1 qershor.
Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame ka lënë të kuptohet vazhdimisht se largimet nga hipoteka e Vlorës janë rezultat i ndërhyrjes për të larguar personat që nuk zbatojnë ligjin nga zyrat e pasurive të paluajtshme.
Por investigime të ndryshme në media, kanë treguar se në hipotekën e Vlorës nuk bëhet fjalë për shkarkime.
Dorëheqjet mediat i kanë lidhur me çështjen e pronësisë së një zone në plazhin e Jalit, atje ku qeveria i ka dhënë kompanisë Soleil & Sea leje për ndërtimin e 3 komplekseve hotelerie si investim strategjik.
Pretendimi i pronësisë nga familja e Kristo Gjokës ka bërë që ndërtimi të bllokohet. Për këtë çështje ka patur disa vendime gjykatash, zbatimi dhe mos-zbatimi i të cilave ka përfshirë një pjesë të zyrtarëve të hipotekës së Vlorës në shpërdorim detyre. Vetë ish-drejtori hipotekës, Taulant Cenameti, është paditur nga familja Gjoka si i përfshirë në këtë çështje.
Resortet turistike janë mbështetur nga qeveria si investime strategjike, për të cilat, prej vitit 2015, janë parashikuar me ligj lehtësime dhe përparësi për konsolidim të titujve të pronësisë, që do të thotë se një investitor strategjik mund të ndërtojë më lehtë se një individ apo biznes i zakonshëm.
Tre vite më parë gazetarja Lindita Çela raportoi se një pjesë e këtyre investimeve strategjike po ngrihej në prona të grabitura apo të kontestuara. Çështjet e kontestimeve për pronat në Vlorë kanë qenë të vazhdueshme. Vitin e shkuar u raportua se në gjykata kishte 403 padi për çështje të tilla.