Të paktën 18 persona të tjerë në Krujë të infektuar me Covid-19, janë zbuluar në Krujë në 24 orët e fundit. Ata janë punonjës të dy fasonerive që tashmë janë bërë vatra të rrezikshme të koronavirusit, dhe familjarë të tyre.
Me rastet e reja shkon në 58 numri i të infektuarve në Krujë, por në përditësimin e Institutit të Shëndetit Publik pritet të ketë të dhëna edhe më shqetësuese dhe për qytetin e Laçit.
Dy fasoneritë në Krujë të cilat kanë lidhje më njëra-tjetrën, kanë qëndruar hapur deri më 15 prill. Në to punojnë kryesisht gra nga Kruja dhe Laçi, të cilat transportohen për në punë nga furgonat e kompanisë.
Transporti dhe puna duke mos zbatuar masat e distancimit fizik kanë bërë që Covid-19 të përhapet shpejt mes punonjësve, të cilët më pas ia kanë transmetuar familjarëve të tyre.
Laçi deri më 17 prill, nuk kishte asnjë të infektuar dhe brenda pak ditësh ka 27 të infektuar, numër që pritet të shtohet gjatë përditësimit të ISHP-së.
Ndërsa Kruja deri më 17 prill, kishte vetëm një vatër familjare me 7 të infektuar, shumica prej tyre të shëruar. Ndërsa tani ka 58 të infektuar.