Qytetarë aktivistë, ambientalistë e banorë të Luginës së Valbonës do të vazhdojnë protestat nesër në mesditë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë.
Protesta do të nisë në orën 10:00 tek Parlamenti, e më pas në orën 11:00 qytetarët do të marshojnë drejt Monumentit të Pavarësisë, simboli i protestave të zhvilluara deri më sot në mbrojtje të Valbonës dhe Parqeve Kombëtare. Më pas, në orën 12:00 marshimi do të vazhdojë drejt Kryeministrisë.
Qytetarët i kërkojnë qeverisë, gjykatave dhe bizneseve të ndalojnë ndërtimin e hidrocentraleve që po shkatërrojnë Valbonën, një prej destinacioneve kryesore turistike në vend.
Protestat e qytetarëve, herë në Tiranë e herë në Valbonë vijnë pas rrëzimit të padisë së banorëve për të ndalur ndërtimet e hidrocentralve nga Gjykata Administrative e Tiranës.
Banorët e Luginës së Valbonës shprehen se ndërtimi i qoftë edhe një HEC-i të vetëm, do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme Luginën e Valbonës dhe turizmin në këtë zonë.
Një prej shoqatave në mbrojtje të Valbonës, “Miqtë e Valbonës” shkruan se “rreth 7-10 milionë euro në vit i vijnë si të ardhura Republikës së Shqipërisë vetëm nga turizmi në Valbonë (50 mijë turistë në vit) dhe me ato para mbahen në punë me mijëra shtetas të Republikës së Shqipërisë.”
Pothuaj të gjithë familjet e zonës jetojnë me të ardhurat nga turizmi dhe vitet e fundit, falë punës së secilës prej familjeve numri i turistëve në Valbonë është shumëfishuar.
Banorët në mënyrë të vazhduar janë shprehur se qeveria po qeveris me arrogancë, pa u interesuar për qytetarët, mjedisin apo turizmin e po jep me konçesion çdo lumë e luginë për të ndërtuar hidrocentrale.
Ndaj ata kërkojnë ndalimin dhe pezullimin e ndërtimeve të hidrocentraleve në Valbonë, respektimin dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Valbonës, si dhe ndalimin e “manipulimit nga ana e Qeverisë, e cila vendosi fitimet e një firme private para interesit publik.”
Hidrocentralet mbi lumin e Valbonës po ndërtohen nga kompania “Gener2”, bazuar në kontratën koncesionare nënshkruar me Ministrinë e Energjisë në vitin 2009.