Megjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.
Në një artikull për BIRN, gazetari nga Bulqiza Hysen Likdisha shkruan se në 3 vitet e fundit, për 12 aksidente me 10 viktima në total, në Gjykatën e Dibrës ka pasur vetëm dy çëshje në gjykim me tre të pandehur.
Në këto dy çështje, gjithsesi, nuk janë vënë përpara drejtësisë drejtues apo pronar kompanish, por “staf teknik dhe minatorë” të akuzuar për “shkelje të rregullave të sigurisë në punë.” Pra, viktimat e aksidenteve përveç dëmtimeve fizike, janë dënuar dhe me disa ditë osë muaj burg.
Dy aksidentet e fundit që morën jetën e një 20 vjeçari dhe një 30 vjeçari, ndodhën në Zonën D të minierës së kromit në Bulqizë. Deri më tani, megjithëse kanë kaluar të paktën 3 javë nga vdekja e njërit prej minatorëvë, rrethanat dhe shkaqet e aksidentit nuk janë zbardhur ende.
Gazetari Likdisha shkruan:
“Policia e Dibrës i tha BIRN se kishte shoqëruar drejtuesit e punimeve në seksionin ku ndodhën aksidentet, por nuk është e qartë nëse do të kishte apo jo të akuzuar pas dy aksidenteve me vdekje.”
Zona D e minierës së kromit në Bulqizë njihet si një prej më të rrezikshmeve prej vitesh tashmë, por kjo nuk ka bërë që institucionet përkatëse të vënë përpara përgjegjësisë kompanitë koncesionare.
“Megjithëse aksidentet në minierë kanë vijuar kryesisht në atë që njihet si Zona D, ku ndodhën edhe dy aksidentet e fundit, asnjë administrator apo pronar kompanie nuk është ndjekur penalisht për to.
Burime nga Komisariati i Policisë së Bulqizës i thanë BIRN se ata nuk kishin kapacitete për të hetuar përgjegjësitë e kompanive.
Burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i thanë BIRN se një pjesë licensave të kompanive që shfrytëzonin minierën ishin revokuar edhe për arsye të sigurisë, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk qe e mundur të sigurohej informacion për raste konkrete kur kjo kishte ndodhur,” vazhdon më tej gazetari Likdisha.
Miniera e Kromit në Bulqizë është jo vetëm më e madhja në Shqipëri, me një histori gati 70 vjeçare, por dhe më “vdekjeprurësja”. Një tjetër investigim I BIRN në vitin 2015 tregon se rreth 300 minatorë kanë humbur jetë në një dekadë, ku pjesa më e madhe dhe numri më i madh i të vdekurve janë në galeritë e Bulqizës.
Numri i aksidenteve besohet se u rrit edhe për shkak të numrit të madh të licensave të dhëna në vite. BIRN mësoi se deri në vitin 2013 ishin dhënë 118 licensa zhfrytëzimi.
Një tjetër investigim i BIRN i vitit 2016 gjeti se dhënia e këtyre liçencave shpesh edhe me mbivendosje ishte bërë shkak për një sërë krimesh, por njëkohësisht duke cënuar sigurinë në galeri. Investigimi zbuloi se një pjesë e kompanive kishin po ashtu lidhje politike lokale dhe kombëtare, gjë që duket se u ka dhënë imunitet shfrytëzuesve të kromit.