Kryebashkiaku Veliaj zotohet se do të punojë fort që kryeministri Rama të fitojë një mandat të tretë dhe të hyjë në histori si i pari që qëndron në pushtet për tre mandate.
Veliaj tha se beson se PS mund të fitojë sërish sepse ‘opozita është e shpartalluar’ dhe se socialistët kanë qeverisur shumë mirë në këto 8 vite.
Duke folur në ceremoninë e certifikimit të trajnerëve të rinj në fondacionin ‘Qemal Stafa’, Veliaj u shpreh:
“Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe unë do të punoj 24/7, që Partia Socialiste dhe Edi Rama të fitojnë mandatin e tyre të tretë.
Mandati i tretë do të ishte historik sepse në Shqipëri, në 30 vite pluralizëm, nuk ka ndodhur asnjëherë që një forcë politike të mandatohet tre herë radhazi.
Unë besoj se i kemi të gjitha argumentat për të kërkuar një mandat të tretë, jo se opozita është e shpartalluar, ne s’kemi fare garë, në 8 vjet jemi partia numër një, e padiskutueshme, garën e kemi me veten.”