Opozita ka denoncuar ditët e fundit rritjen e tarifave të pastrimit nga Bashkia Tiranë si politikë që po dëmton bizneset dhe qytetarët, sidomos në një periudhë kur prej 6 muajsh vendi është nën gjendje të jashtëzakonshme prej tërmetit të 26 nëntorit dhe epidemisë së Covid-19.
Zëvendëskryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, e quajti të hënën “indeksim me 3-4 për qind” dhe jo rritje të tarifës së pastrimit.
“[…] ka pasur një indeksim, jo rritje të faturës [tarifës së pastrimit] […] indeksimi është bërë nëntorin e vitit 2019 […] është bërë siç ndodh normalisht me të gjitha gjërat [shërbimet] prej 4-5 vitesh dhe fatura [me tarifën e re] ka shkuar tani në mars-prill si zakonisht për vitin aktual [2020].”
Mirëpo krahasimi i tarifave të vitit 2016 dhe 2020 flet për rritje me 15 për qind dhe jo 4-5 për qind.
- Familjarët, që në qytet paguanin 5 000 lekë në vit për pastrim, në vitin 2020 do të paguajnë 5 750 lekë.
- Biznesi i vogël që paguante 3 500 – 15 000 lekë në vit, në vitin 2020 do të paguajë 5 750 – 17 250 lekë.
- Biznesi i madh që paguante 20 000 – 300 000 lekë në vit, në vitin 2020 do të paguajë 23 000 – 345 000 lekë.
Kliko këtu për të parë tarifat e vitit 2016 dhe këtu për të parë tarifat e vitit 2020.
Mazniku nuk përmend atë që thuhet edhe në relacionin e buxhetit afatmesëm 2020-2022, që Bashkia e rriti tarifën e pastrimit për të mbuluar shtrenjtimin e shërbimit si rrjedhojë e koncesionit të inceneratorit (kliko këtu për të parë relacionin).
“Ky ndryshim [i tarifës] është ndikuar kryesisht për shkak të hyrjes në fuqi të kontratës së inceneratorit në vitin 2018 , në bazë të PPP të realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe që po zbatohet nga Bashkitë e qarkut të Tiranës. Gjithashtu një rritje e konsiderueshme vërehet edhe në koston operative vjetore të Bashkisë Tiranë për menaxhimin e këtij shërbimi.”
Prej vitit 2012 tarifa e pastrimit përfshihet në faturën e ujit. Siç Exit News ka shpjeguar më parë, në vend që Bashkia Tiranë të rrisë të ardhurat duke përmirësuar bilancet e faturimit dhe vjeljes së pagesave të ujit, ajo zgjedh rrugën më të lehtë duke rritur çmimin e shërbimit.
Njësoj duke reflektuar mungesë menaxhimi u veprua edhe me çmimin e ujit të pijshëm. Çmimi u rrit për të justifikuar kreditë, ndërkohë që 65 për qind e prodhimit nuk faturohej dhe më shumë se çereku i abonentëve nuk paguanin.
Në vitin 2018 qytetarët dhe bizneset e Tiranës paguan mbi 15 milionë euro (1,88 miliardë lekë) tarifa pastrimi – 6 milionë euro familjet dhe mbi 9 milionë euro bizneset.
Bashkia Tiranë synon që në vitin 2020 të arkëtojë mbi 17,5 milionë euro (rreth 2,2 miliardë lekë) rreth 17 për qind më shumë se dy vite më parë.