Veliaj, shkolla Sami Frashëri rindërtohet me ndihmat e BE-së

Nga Exit News
Veliaj, shkolla Sami Frashëri rindërtohet me ndihmat e BE-së

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u shpreh sot se grantet e premtuara nga vendet e BE-së për rindërtimin nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit do të kenë në vëmendje kryesore shkollat dhe çerdhet.

Këtë deklaratë Veliaj e bëri pasi pa nga afër punimet në kopshtin dhe çerdhen e re në Kodër Kamëz. Ai tregoi se nga grantet e premtuara shkolla e parë që pritet të përfitojë do të jetë shkolla Sami Frashëri.

“[…] Shkolla “Sami Frashëri” do të jetë e para që do të përfitojë nga grantet e fituara në Bruksel për Bashkinë e Tiranë, sigurisht edhe shkollat e tjera nëpër fshatra dhe padyshim edhe lagjet e reja të Tiranës”.

Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi dhjetëra shkolla, konvikte dhe çerdhe në Tiranë. Bashkia kontraktoi 7 kompani private për t’i vlerësuar nëse duheshin meremetuar, rikonstruktuar apo rindërtuar. Kontraktimi u bë me negocim direkt pa shpallje paraprake. Ajo pagoi rreth 415 mijë euro dhe ekspertiza nxorri në përfundim se 13 shkolla duhet të rindërtoheshin.

Veliaj e argumentoi kështu rindërtimin e shkollës Sami Frashëri:

“Mund ta rikonstruktosh me nyje higjieno-sanitare sa të duash, me dyer të reja, por themelet dhe kolonat janë po ato të viteve ‘60. Shkolla mund të rikonstruktohet sa të dojë, por janë po ato themele, po ato kolona, të cilat nuk mbajnë me një tërmet tjetër, që larg qoftë mos ardhtë kurrë”.

Shkolla Sami Frashëri ishte rikonstruktuar para një viti. Opozita akuzoi kryebashkiakun Veliaj për “krim korruptiv” në cilësinë e dobët të punimeve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>