Veliaj tenton të marrë Kopshtin Botanik pa pritur gjyqin me UT-në

Nga Gerard Gega
Veliaj tenton të marrë Kopshtin Botanik pa pritur gjyqin me UT-në

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj kërkon të marrë Kopshtin Botanik me marrëveshje pa pritur përfundimin e gjyqit për pronësinë me Universitetit të Tiranës (UT). Rektori Mynyr Koni ka refuzuar duke kërkuar përfundimin e çështjes gjyqësore, por kryebashkiaku Veliaj i ka nisur kërkesë për marrëveshje Senatit Akademik, kërkesë, e cila deri në mbledhjen e fundit duket se nuk është marrë parasysh.

Në korrik të këtij viti qeveria vendosi t’i kalonte Kopshtin Botanik, që zotërohej nga UT, Bashkisë Tiranë. Vendimi u mor pa konsultime me UT. Për këtë transferimi i pronësisë u kundërshtua menjëherë dhe Rektori Mynyr Koni ngriti padi në Gjykatën Administrative të Apelit e cila ia kaloi për kopetencë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Më 14 nëntor BIRN tregoi se Bashkia Tiranë po përpiqej për marrëveshje, por që Rektori i UT-së, Koni nuk kishte pranuar të nënshkruante asgjë pa përfunduar gjyqi.

Kërkesa për marrëveshje duket se Zoti Veliaj i ka dërguar edhe Senatit Akademik. Prej fillimit të tetorit e deri më 20 nëntor, Zoti Veliaj ka kërkuar marrëveshje me Senatin. Në shkresat e tij ai thotë se është i hapur të reflektojë në projekt, propozime nga UT. Zoti Veliaj propagandon se do t’i “shuajë çdo merak skeptikëve që mendojnë se kalimi i pronësisë do të cënojë misionin dhe veprimtarinë shkencore të UT-së”.

Në shkresën e fundit dërguar javën e shkuar, Kryetari i Bashkisë tregon se projekti për Kopshtin Botanik është “fazë pasuese” e “projektit për kopshtin zoologjik”:

“Bashkia ka hartuar dhe do të implementojë projektin e rikonceptimit të kopshtit zoologjik, projekt i cili konsiston në modernizimin dhe shtimin e funksionaliteteve të tij. Si fazë pasuese e këtij projekti është planifikuar edhe rivitalizimi i kopshtit botanic, por edhe shndërrimi i tij në një vend të denjë, ku studentët do të mund të kryejnë praktikën mësimore dhe punën shkencore”.

Senati Akademik i UT-së u mblodh javën që shkoi më 20 nëntor dhe nga publikimet zyrtare në nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me këtë çështje.

Kërkesa për marrëveshje e Kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, 20 nëntor 2019.

Në këkresat e Zotit Veliaj, ai pretendon se:

“Në momentin që ka nisur të diskutohet transferimi i Kopshtit Botanik Bashkisë Tiranë, në çdo takim është kërkuar nga ana jonë me këmbëngulje hartimi dhe dakordësimi i një marrëveshjeje të përbashkët për bashkëadministrimin e kësaj pasurie […]”

Mirëpo Zoti Veliaj nuk përmend se kush dhe pse e kanë përjashtuar UT-në nga këto takime. Mbi të gjitha se pse Bashkia Tiranë nuk kërkoi marrëveshje përpara transferimit të pronës dhe pse nuk e njoftoi gjatë diskutimeve UT-në apo Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FSHN) e cila, me skepticizëm, e ka cilësuar kalimin e pronësisë “veprim arbitrar”:

Përvojat e hidhura të deritashme të Fakultetit të tonë me Muzeun e Shkencave të Natyrës, Departamentin e Bioteknologjisë, “ngrënien” e paradokohshme të një cope nga Kopshti në fjalë së bashku me godinën dykatëshe (dhuratë nga Ambasada Amerikane), për kalimin e Unazës së Re, nuk japin asnjë garanci, përkundrazi, flasin në të kundërt, të ndonjë mundësie të realizimit të funksionit dhe misionit të Kopshtit Botanik nga ndonjë insititucion tjetër jashtë Universitetit të Tiranës.

Ndërhyrja në Kopshtin Zoologjik ishte premtim i Zotit Veliaj për mandatin e parë në Bashkinë Tiranë. Propaganda e tij e vitit 2015 se “luani han patate” dhe se “nën drejtimin e tij gjërat do të ndryshonin” u paraqit në Top-Channel me disa pamje të ndërhyrjes që donte të bënte. Ndërhyrja synonte bashkimin e Kopshtit Zoologjik me Kopshtin Botanik. Këtë ide ai e ka përsëritur edhe në janar 2019 me premtimin se “Kopshti i ri do jetë 4 herë më i madh”.

Deri më sot Bashkia Tiranë nuk ka bërë me dije se kush e ka përpiluar projektin që kërkon të zbatojë ndërsa qeveria ndërhyri në favor të saj duke i marrë pa konsultime paraprake pronën UT-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>