Kryetarët e 27 vendeve të BE-së do të takohen sot në Bruksel për të përfunduar draft-udhëzimet për të negociuar daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Ky është takimi i parë ndërmjet vendeve të BE-së pa praninë e MB, pas vendimit të parlamentit britanik për fillimin e procesit të daljes nga BE, njohur ndryshe si Brexit.
Sipas draftit, BE-ja është dakord për të nisur me MB negociatat për marrëdhënien tregtare për të ardhmen, por vetëm pasi të jetë bërë “progres i mjaftueshëm” në bisedimet për daljen e MB-së nga BE.
Në vemendje të vendeve të BE-së është kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në buxhetin e BE-së, statuti i qytetarëve evropian në MB dhe kufijtë e Irlandës.
Gjatë gjithë periudhës së negociatave, MB është e detyruar të zbatojë të gjithë legjislacionin e BE-së që është në fuqi, por ajo nuk mund të jetë pjesë më e vendim-marrjes brenda BE-së. Ligjet e reja që do miratohen nga BE nuk do të aplikohen mbi MB-në.
Kancelarja gjermane Angela Merkel të enjten lajmëroi se Britania “nuk duhet të ketë asnjë iluzion për atë çfarë brexit do të thotë për të ardhmen e saj”, duke shtuar se “nuk do të kenë të njëjtat të drejta me vendet anëtare të BE-së”.
Negociatat për daljen e Mbretërisë së Bashkuar priten të fillojnë pas zhvilimit të zgjedhjeve më 8 qershor.