Shtetet po shtrëngojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit, teksa vaksinimi ka nisur në rreth 50 vende por ende i kufizuar në pak doza.
Në dhjetor shumë vende vendosën masa të reja për të parandaluar infektimet gjatë periudhës së festave të fundvitit ku njerëzit janë pushim dhe lëvizin më shumë në dyqane dhe ambjente festive.
Problem është bërë edhe përhapja e variantit të ri të koronavirusit, që është më i transmetueshëm.
Gjermania pritet që të shtyjë afatin e masave që janë në fuqi pasi infektimet nuk janë ulur.
“Duke pasur parasysh numrin e lartë të rasteve, është e rëndësishme që të zgjerojnë kufizimet dhe masat”, tha më 2 janar për RTE Aktuell, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
Qeveria synonte të ulte infektimet e reja në 50 për 100 mijë banorë por shifra aktualisht është 140, pothuajse tre herë më e lartë.
Franca ka zgjeruar fashën e orës policore në rajonet që janë në kufi me Gjermaninë, Belgjikën dhe Zvicrën.
Greqia njoftoi të shtunën se do të futet në karantinë të paktën deri më 11 janar. Lëvizja do të ndalohet nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Bizneset do të mbyllen, ndërsa hapur do të qëndrojën vetëm dyqanet me artikuj jetësorë dhe farmacitë.
Mbretëria e Bashkuar shënoi të shtunën të pestën ditë radhazi me numër rekord të infektimeve ditore.
Në kryeqytetin e Tajlandës, Bankok, janë mbyllur shkollat, baret, klubet e natës dhe restorantet. Ndërkaq, në Tokio të Japonisë, guvernatori kërkoi nga qeveria japoneze që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
Në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar mbi 200,000 infektime brenda ditës dhe 2,600 viktima.