Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) vendosi të pushojë dje hetimin ndaj tre gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda në çështjen e Dritan Dajtit.
Por Gjykata e re Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi se SPAK nuk ka bërë hetime të mjaftueshme për korrupsionin e mundshëm të tre gjyqtarëve që i ulën dënimin Dajtit nga 4 burgime të përjetshme në 25 vite burg për vrasjen e katër policëve.
Vendimi i parë i SPAK-ut të trumpetuar me të madhe u shfaq të ishte një dështim.
Dajti u dënua në shkallën e parë me katër burgime të përjetshme për vrasjen e katër policëve. Gjyqtarët e apelit Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli pranuan kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar dhe ia ulën dënimin në vetëm 25 vite burg.
Vendimi u prit me zemërim nga publiku, por edhe nga qeveria, opozita dhe ndërkombëtarët, të cilët i bënë thirrje institucioneve të reja të drejtësisë të hetonin gjyqtarët.
Krijimi i SPAK-ut ka qenë për vite ndër rezultatet më të shumëpritura të reformës në drejtësi. Shumica socialiste dhe ndërkomëbtarët e kanë paraqitur atë si arritjen më të rëndësishme të saj.
Pasi u formua në mënyrë antikushtetuese me vetëm 8 nga 10 prokurorë që kërkon Kushtetuta, pasi kryetar i saj u zgjodh një ish-hetues i regjimit komunist, vendimi i parë i këtij istitucioni, që u ngrit për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivele të larta, ishte pushimi i hetimit për korrupsion ndaj tre gjyqtarëve.
Zvarritja e gjyqit kundër Dritan Dajtit
Në 23 korrik 2014, pas 278 seancash, Gjykata e shkallës së parë e Krimeve të Rënda dënoi Dritan Dajtin me 4 burgime të përjetshme për vrasjen e katër policëve Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, dhe Kastriot Feskaj.
Dajti i vrau katër policët më 7 gusht 2009 në Durrës, kur ata po përpiqeshin ta arrestonin. Ai ishte në kërkim që nga viti 2004, pasi u arratis nga Gjykata e Tiranës, ku po gjykohej për vrasjen e një biznesmeni në vitin 1999.
Dritan Dajti e apeloi dënimin me katër burgime të përjetshme. Gjykata e Apelit e prishi vendimin e Shkallës së Parë, me arsyetimin se gjykata nuk e kishte lejuar Dajtin të kishte avokat. Në fakt, gjykata e shkallës së parë kishte argumentuar në vendimin e saj se Dajti kishte pasur të gjitha mundësitë për të zgjedhur avokat, po ai kishte refuzuar ta bënte këtë, ndërsa avokatët e caktuar nga shteti u tërhoqën për arsye të panjohura.
Me vendimin e Apelit nuk ishin të kënaqur as prokuroria dhe as Dritan Dajti. Të dyja palët i kërkuan Gjykatës së Lartë ta rishikonte çështjen. Prokuroria kërkoi që vendimi i parë të lihej në fuqi; pra Dajti të dënohej me katër burgime të përjetshme. Vetë Dajti kërkoi pafajësi dhe zbutje të akuzës, duke pretenduar se vrasjet kishin ndodhur në kushte të vetëmbrojtjes. Ai sërish pretendoi se nuk i ishte siguruar e drejta për të pasur avokat.
Në vitin 2016, Gjykata e Lartë vendosi ta kthente çështjen për gjykim në Gjykatën e Apelit. Ajo argumentoi se pretendimi i Dajtit se nuk i ishte siguruar e drejta për avokat ishte i pabazë dhe se Gjykata e Apelit e kishte keqinterpretuar ligjin në këtë pikë.
Në këtë kohë, duke qenë se në çdo gjykim marrin pjesë pesë gjyqtarë, thuajse të gjithë gjyqtarët e apelit e kishin gjykuar njëherë çështjen Dajti. Këtyre nuk u lejohej ta gjykonin sërish. Si rrjedhojë, në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda u sollën pesë gjyqtarë nga rrethet.
Dajti kërkoi gjykim të shkurtuar dhe tre nga pesë gjyqtarët në fjalë e pranuan kërkesën e tij dhe përfundimisht e dënuan Dritan Dajtin me 25 vite burg.
Pikëpyetjet mbi vendimin e gjykatësve dhe të SPAK-ut
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda mbetet ende një vendim i debatueshëm. SPAK duhet ta kishte hetuar këtë vendim për arsyet në vijim.
Gjykata duhet ta kishte refuzuar kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar. Neni 403 i Kodit të Procedurës Penale thotë se nuk lejohet gjykimi i shkurtuar për krime që dënohen me burgim të përjetshëm. Krimet për të cilat akuzohet Dritan Dajti, sipas Kodit Penal dënohen me të paktën 20 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Nga ana tjetër, dënimi i Dajtit me katër burgime të përjetshme tregon se ai është person me rrezikshmëri të lartë. Megjithatë, Dajti do të lirohet shumë më herët se 25 vitet e dënimit të Apelit, për shkak të llogaritjes së kohës së paraburgimit. Ky element mund t’i shërbente SPAK-ut si pikënisje për të hetuar më tej këtë çështje.
Provë për hetime përbënin edhe arma dhe fishekët pa leje, si dhe 20 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e gjyqtarit Skënder Damini.
Zvarritja e pazakontë e gjykimit të çështjes Dajti për thuajse 10 vite, ndërrimet e vazhdueshme të gjyqtarëve, mospranimi i asnjë avokati për ta mbrojtur atë, ulja drastike e dënimit duhet t’ia kishin lehtësuar punën SPAK-ut për një hetim rigoroz. Por kjo nuk ndodhi.
Hetimet e mbyllura pa akuza, – për një çështje ku janë vrarë 4 punonjës të shtetit, ku njërit prej gjyqtarëve iu gjetën armë pa leje dhe një shumë të hollash në banesë, dhe ku akuzohet një person me rrezikshmëri të lartë – shtojnë dyshimet nëse SPAK është e aftë të hetojë në mënyrë të pavarur dhe me profesionalitet personat me pushtet politik e ekonomik në Shqipëri.
Ky vendim i parë i SPAK-ut i jep një goditje të fortë besimit të publikut për këtë institucion të shumëpritur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e zyrtarëve të lartë.