Vërtet është rritur me 4 për qind ekonomia?

Vërtet është rritur me 4 për qind ekonomia?

Ekonomia e një vendi rritet nëse rritet konsumi i brendshëm—publik e privat, për konsum dhe investime—ose nëse rritet bilanci tregtar (eksporti i produkteve e shërbimeve të prodhuara në vend minus importet), ose nëse vijnë para nga jashtë (si investime të huaja apo dërgesa nga emigrantët apo të huaj) të cilat më pas transformohen në rritje të depozitave ose në rritje të shpenzimeve të brendëshme (për konsum ose për investime).

Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) është treguesi më i përdorur për të matur ekonominë e një vendi—PBB mat vlerën në para, të themi në euro, të të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një vend, në një periudhë të caktuar, zakonisht një vjeçare.

Por PBB-ja mund të rritet në vlerë nominale dhe kjo mund të mos ketë asnjë ndikim në jetën e qytetarëve, pra në ekonominë e vërtet të vendit.

Nëse me rritje ekonomike nënkuptojmë rritje të mirëqënies ekonomike të popullsisë, atëherë ekonomia rritet kur popullsia në përgjithësi ka më shumë para për të shpenzuar, pra për konsum, për të investuar apo kursyer, domethënë në shpenzime të mundshme në të ardhmne, pra siguri ekonomike.

Edhe ekonomistët më krijues, ministrat më me imagjinatë të financave në botë nuk kanë arritur të shpikin ndonjë gjë tjetër, por shpesh janë angazhur për të gjetur hile kontabiliteti për të rritur treguesin, pra PBB-në, për të krijuar kështu optimizëm, që është një nxitës i rritjes ekonomike, ose të paktën është një përbërës i madh i mirëqenies morale.

Por në lojën afatgjatë, rritja e optimizmit në një moment të vetëm historik nuk është zgjidhje nëse nuk kthehet në rritje të faktorëve të renditur më sipër.

Për shembull, shpallja e investimeve të huaja të reja mund të krijojë optimizëm duke bindur njerëzit të shpenzojnë kursimet që kanë me besimin se do të kenë mundësi për t’i rivënë ato në të ardhmen, duke rindezur kështu kërkesën e brendshme.

Por nëse nuk do ketë rritje ekonomike, kur përfundon edhe optimizmi (dhe kursimet e mundshme), efekti i përgjithshëm do jetë tkurrja e shpenzimeve dhe ulja e mëtejshme e optimizmit e për pasojë e rritjes së ekonomisë.

Ose, sikurse shprehet një ekonomist i madh, mund të marrim borxh publik për të gërrmuar një vrimë të madhe në tokë e për ta rimbushur më pas, dhe nëse vrima shërben me të vërtet për ndonjë gjë ne do të kemi një përparësi më të madhe se sa kur vrima nuk vlen për gjë dhe veçse sa rrit shpenzimeve publike.

Për të përdorur një shembull aktual, nëse shpenzojmë para për palma, dhe ato mjaftojnë për të rritur turizmin, atëherë i kemi shpenzuar siç duhet, por nëse turizmi nuk rritet (në mënyrë të përpjesshme me shpenzimin) atëherë i kemi flakur paratë. Sikurse duket qartë në rastin e Shqipërisë, ka kokëçarje të tjera, përtej mungesës së palmave, që pengojnë rritjen e turizmit, prandaj do të ishte e volitshme të investohej në heqjen e këtyre pengesave përpara se të investohej në palma.

Por cilado qoftë mënyra e investimit, ai do të gjykohet duke matur rezultatin përfundimtar—politikat e zgjedhura ekonomike do të gjykohen pak a shumë të mira, nëse kanë dhënë, pas një periudhe të nevojshme, rezultatin e pritshëm, pra kanë kanë rritur mirëqënien e popullsisë, ose të paktën mirëqënien e përfituesve tanë (për shembull, votuesve tanë).

Këtu ndahen vlerësimet, sepse një politikë mund të konsiderohet e mirë nga disa përfitues dhe më pak nga të tjerë: kush shet palma është i lumtur, kush paguan taksat për të blerë palmat mund të jetë më pak i kënaqur, ndërsa pensionisti që shëtit nën palma në shëtitoren buzë detit mund ta konsiderojë këtë si një kompesim për pensionin e tij të ulët.

Në të njëjtën mënyrë rritja e borxhit publik mund të shkaktojë pakënaqësi tek një i ri (që atë borxh duhet ta paguajë, në një mënyrë ose tjetrën, në të ardhmen) se sa një i moshuar (që e di që tani që borxhi nuk e prek).

Fatkeqësisht, jo gjithmonë qytetarët janë racionalë dhe jo gjithmonë e kuptojnë ose janë mjaftueshëm të informuar për të vlerësuar mekanizmin e ekonomisë, dhe mund edhe të ndodhë që i riu mund të jetë i kënaqur që ka palma, pa menduar se herët a vonë duhet t’i paguajë, ndërsa një i moshuar ekspert ekonomie mund të ndjejë frikë për të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve të tij. Në këtë rast ndryshimin e bën pikërisht kultura (aftësia për të kuptuar efektet e dukurisë) dhe informacioni (aftësia për të siguruar të dhënat e nevojshme për të vlerësuar efektet e zgjedhjes politike).

Prandaj injoranca e kultivuar, keqinformimi dhe propaganda politike janë shumë të dobishme për shtrembërimin e diskutimit dhe asnjëanësimin e rrezikut të të pakënaqurve.

Për të përfunduar dhe për t’i dhënë një përgjigje pyetjes fillestare: të dhënat zyrtare të furnizuara nga institucionet publike që kontrollohen nga qeveria (INSTAT, Ministria e Financave) tregojnë se konsumi përfundimtar (i popullsisë dhe i qeverisë) janë rritur vetëm sa gjysma e rritjes së deklaruar të PBB-së, ndërsa depozitat bankare nuk rritur pak ose aspak. Edhe në brendësi të kësaj rritje të konsumit, është rritur konsumi i mallrave të lluksit të konsumuara nga klasa drejtuese e vendit dhe kanë rënë produktet që lidhen me nevojat bazë të qytetarëve të thjeshtë, ndërkohë që brenda kursimeve janë rritur depozitat e mëdha dhe kanë rënë ato të voglat.

Këto të dhëna mund të quhen rritje e mirëqënies së popullsisë vetëm nëse dëshira e popullit është vetëm ajo e mbushjes së barkut me bukë ( “Bukë dhe Socializëm”), ose ajo ë shëtitjes nën hijen e palmave.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>