Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka kërkuar shkarkimin e ambasadores së Kosovës në Amerikë Vlora Çitaku, pas skandalit me lajmin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Xhamajka.
Dje në mbrëmje, Presidenti Hashim Thaçi njoftoi përmes një postimi në Twitter se Xhamajka ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se këtë lajm e kishte marrë nga ambasadorja në SHBA Vlora Çitaku:
“Lajm i mrekullueshëm! Sapo u njoftova nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si sovran dhe të pavarur. E di se ky është një rezultat i punës së madhe dhe lobimeve për vite me radhë, përfshirë edhe Eliot Engelin. Punë e mirë. Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni.”
Por menjëherë pas bërjes publike të lajmit, Ministrja e Jashtme e Xhamajkas Kamina J. Smith përgënjeshtroi lajmin duke shkruar në Twitter:
“Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën.”
Pas kësaj deklarate, deputetja Fitore Pacolli reagoi menjëherë duke thënë se nëse lajmi vërtetë ka ardhur nga ambasadorja Çitaku, ajo duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari.