Vetingu, KPK: Gjyqtari Trezhnjeva mund të ketë fshehur pasurinë

Vetingu, KPK: Gjyqtari Trezhnjeva mund të ketë fshehur pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi sot se ka dyshime se gjyqtari i Apelit të Durrës Besim Trezhnjeva ka fshehur pasurinë.

Ky njoftim u bë gjatë seancës dëgjimore që KPK dhe gjyqtari Trezhnjeva zhvilluan sot, në kuadër të procesit të vetingut.

Dyshimi për fshehje të pasurisë ka ardhur prej deklarimit që Trezhnjeva ka bërë në ILDKP.

Sipas ILDKP, deklarimi i pasurisë së Trezhnjevës nuk është i saktë.

“Pas një analize të thellë të hetimit rezulton se Trezhnjeva ka kryer deklarim të rremë dhe se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme. Nga analiza e hetimit rezulton se ka deklarime të rreme në lidhje me të ardhurat e bashkëshortes”, shkruhej në raportin e KPK-së, lexuar në fund të seancës dëgjimore.

Sipas ILDKP-së dhe KPK-së, gjyqtari nuk ka mundur të justifikojë rreth 200 milionë lekë.

Avokati i gjyqtarit ka kërkuar që të caktohet një grup ekspertësh për të bërë rivlerësimin e pasurisë së tij, por kjo kërkesë u rrëzua me arsyetimin se KPK i ka mundësitë për ta bërë vetë këtë rivlerësim.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Trezhnjeva ka thënë për median se nuk janë llogaritur të ardhurat e tij krijuar në vitet 1981-1994.

Vendimi përfundimtar i KPK-së nëse gjyqtari Trezhnjeva e kalon apo jo vetingun, do të merret të premten në orën 13:00.

Trezhnjeva kandidon për Këshillin e Lartë Gjyqësor, institucion që do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Më parë gjyqtari Trezhnjeva ka mbajtur postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>