Komisioni i Pavarur Kualifikimit shkarkoi nga detyra kryetarin e Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine.
Në lidhje me kriterin e pasurisë ILDKPI kishte hartuar një raport negativ për zotin Shehu. Sipas raportit ai kishte kryer deklarim të pasaktë, nuk kishte burime të ligjshme dhe kishte fshehur pasurinë.
KPK konstatoi se kishte mospërputhje midis shumës së deklaruar të vilës me sipërfaqe 299.5 metër katror në Kukës. Akti i ekpertimit nga KPK e vlerësoi këtë ndërtesë me shumën 3.7 milionë lekë ndërkohë që gjyqtari Shehu e kishte deklaruar 2.2 milionë lekë.
Gjithashtu gjyqtari Shehu nuk justifikonte një shumë prej 5.2 milionë lekësh si dhe rezultoi se nuk kishte burime të ligjshme për blerjen e dy makinave në vitin 2003 dhe 2011.