Vëzhguesit e Elton Debreshit përplasen me policinë: Nuk do të lejojmë të preket asnjë votë

Nga Exit News
Vëzhguesit e Elton Debreshit përplasen me policinë: Nuk do të lejojmë të preket asnjë votë

Vëzhguesit e kandidatit të pavarur në Dibër janë përplasur me policinë në KZAZ e Bulqizës.

Debreshi ka postuar një video ku denoncon shkelje në procesin e numërimit.

“Pas nxjerrjes jashtë të vëzhgueses së Elton Debreshit nga qendra e votimit 1029, KZAZ e Bulqizës nuk po lejon vëzhguesit tanë që të futen brenda dhe të mbikëqyrin procesin e dorëzimit të kutive të votimit” , njofton Debreshi.

Në videon e publikuar vëzhguesja e Debreshit i kërkon informacion policit në lidhje me ndalimin e saj për të hyr brenda.

Polici përgjigjet se emri i saj nuk është në listën e vëzhguesve. Kur ajo i kërkon që ai ta vërtetoj këtë duke i treguar listën, polici nuk përgjigjet por i kërkon të largohet.

Më pas në video shihet se një person tjetër hyn brenda pa u kontrolluar dhe pyetur, teksa një polic tjetër afrohet dhe i kërkon vëzhgueses së Debreshit të largohet.

“Kjo është shkelje flagrante e ligjit. Vëzhguesit duhet të jene të pranishëm në çdo moment. Keqbërësit e partive kane frike nga votat tona. Po ashtu, policia ne vend qe te respektoje ligjin, behet pale me shkelësit e tij dhe ushtron presion ndaj vëzhguesve”, tha Debreshi në faqen e tij në Facebook.

Gjatë videos vëzhguesja e Debeshit, Joana Meraja zotohet se nuk do të lejojë asnjë votë që të preket.

Ajo shpjegon në video se ndodhet në KZAZ që nga ora 7 dhe sipas rregullores ka kërkuar që të futet brenda që të ndjek të gjithë procesin, por janë ndaluar.

“Nuk jam lejuar të futem në KZAZ e Bulqizës, pa asnjë lloj argumenti. Kam pyetur për këtë, madje efektivit i policisë, më ndaloi të hyja brenda duke më tërhequr nga krahu dhe duke më thënë se do të sjellë një efektive grua që të merret me mua”, tha Joana Meraja vëzhguese e Elton Debreshit në KZAZ e Bulqizës.

Ajo e cilësoi si të paligjshme dhe tha se si çdo vëzhgues tjetër ka të drejtën të ndej procesin nga fillimi e deri në fund.

Kandidati Elton Debreshi ka raportuar disa parregullsi deri më tani.

Më herët ai denoncoi se vëzhguesit e tij u nxorën nga qendra e votimit pa u mbyllur kutitë, ndërsa në dy KZAZ nuk po lejojnë vëzhguesit të futen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>