Prej 5 ditësh Kurora me Pisha në Malin e Tomorrit, e cila është zonë e mbrojtur, vijon të digjet pasi flakët nuk janë shuar dot nga zjarrfikësit edhe me ndihmën e helikopterëve.
Sipas Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Beratit, deri tani janë djegur rreth 23 hektarë pyll me pisha si dhe disa vendbanime të kafshëve të egra.
Ditën e sotme është raportuar se edhe në Kurbin ka rënë zjarr, duke djegur shkurre, pemëtari dhe pyje pranë fshatit Shëmri duke rrezikuar edhe linjën e transmetimit të energjisë elektrike.
Zjarr ka rënë në disa kullota në afërsi të Malit të Gjerë në Gjirokastër ndërsa është djegur një stan bagëtish në vendin e quajtur Blënjë.
Disa ditë më parë flakët përfshinë një parcelë me qindra rrënjë ullinj dhe vreshtari në Volloder të Sarandës.
Një sipërfaqe toke kullotash u dogj gjithashtu në zonën e Lunxhërisë në Gjirokastër ndërsa pre e flakëve ra një javë më parë edhe Pylli me Pisha në Krujë ku u dogjën 5 hektarë tokë.
Situata e zjarreve duket se përsëritet nga viti në vit megjithëse nga ana e qeverisë premtohet marrja e masave.
Rritja e temperaturave shoqërohet me djegien e qindra hektarëve tokë në gjithë vendin duke shkaktuar edhe dëme të mëdha natyrore.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako u shpreh një ditë më parë për Report TV se zjarret janë të qëllimshme dhe për disa prej tyre ka pasur të arrestuar.
Të njejtën deklaratë ai ka bërë edhe në 3 gusht të vitit të kaluar kur kërkoi bashkëpunimin me strukturat vendore të policisë për kapjen e autorëve.
Sipas AKMC, në 2020 u dogjën rreth 600 hektarë tokë, gjysma e të cilave në muajn korrik.