Vijon sot gjyqi ndaj Salih Mustafës në Hagë

Nga Exit News
Vijon sot gjyqi ndaj Salih Mustafës në Hagë

Mëngjesin e të hënës, rreth orës 9.30, vijon procesi gjyqësor kundër ish-anëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Të mërkurën nisi gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kundër drejtuesve të UÇK-së. Seanca e parë u mbajt pikërisht kundër Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, krime të kryera gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Për akuzat ndaj tij, Mustafa u deklarua i pafajshëm.

Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri më martën 28 shtator 2021.

Mustafa, nga ana e tij, i quajti Dhomave të Specializuara si Gestapo, gjatë seancës së parë të mërkurën.

“Nuk ndihem fajtor për asnjë akuzë të zyrës së Gestapos,” u shpreh ai, para se t’i tërhiqej vërejtja.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>