Viti i ri akademik në universitete nis më 11 tetor. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi e konfirmoi këtë të enjten gjatë një inspektimi me kryeministrin Rama në një godinë konvikti në zonën e ish-fushës së aviacionit në Tiranë.
Rezidenca Studentore Universitare nr. 2 që u vizitua nga Rama dhe Kushi është një nga konviktet ku pritet të strehohen shtetasit afganë që janë evakuuar ditët e fundit pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit. Ajo bëhet kështu konvikti i tretë që do të presë refugjatë pas dy të tjerëve në Qytetin Studenti që janë njoftuar më parë.
Rama tha se refugjatët afganë do të vendosen në godinë para ardhjes së studentëve, që do të thotë se gjatë sezonit të provimeve të vjeshtës ajo nuk do mund të përdoret dot nga ata.
Një shqetësim të tillë ngriti disa ditë më parë Unioni i Këshillave Studentore. Ata denoncuan se studentëve në konviktet në Qytetin Studenti iu është thënë gojarisht nga kujdestarët që të lirojnë dhomat për ardhjen e refugjatëve. Nga ana tjetër nuk është bërë transparent plani i qeverisë për strehimin e afganëve.
Por kryeministri Rama deklaroi se Rezidenca Studentore Universitare nr. 2 mund të mos shërbejë për strehimin e shtetasve afganë duke qenë se ardhja e tyre po shtyhet si pasojë e procesit të evakuimit në Kabul i cili është paralajmëruar se do të përfundojë më 31 gusht.
Sipas Ramës, afganët mund të kalojnë menjëherë në hotelet në Durrës ku ishin parashikuar të qëndronin. Nuk dihet se në sa hotele do të strehohen por në Shqipëri priten të vijnë 4 mijë afganë.
Qeveria ndërkohë ka vendosur zgjerimin e kapaciteteve të qendrës së pritjes së azilkërkuesve në Tiranë.