
Viti i ri shkollor do të nisë në 14 shtator dhe nxënësit e studentët do të rikthehen në shkolla.
Në një njoftim për median, Ministria e Arsimit ka njoftuar se nga data 31 gusht deri në 11 shtator do të zhvillohen mësime plotësuese vetëm me nxënës të klasave nga 1-5, të cilët nuk kanë pasur qasje dhe mundësi gjatë periudhës së mësimit online në periudhën mars–maj 2020.
Pjesa më e madhe e këtyre nxënësve janë nga shtresat vulnerabël, romë, egjiptianë apo nga zona të thella gjeografike.
Mësimi në shkolla do të zhvillohet sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjieno-sanitare, duke ruajtur distancimin fizik.
Ministria nuk ka dhënë më tepër sqarime për numrin e studentëve në klasa apo nëse nëvojat për maska dhe dezinfektantë do të mbulohen nga qeveria.