Ish-deputetja Albana Vokshi njoftoi, të mërkurën, se në një kopësht në Tiranë, 3 edukatorë janë infektuar me Covid-19, ndërkohë që asnjë prej prindërve nuk është lajmëruar.
Në një postim në rrjetet sociale, Vokshi shkruan se mungesa e përgjegjësisë së Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Shëndetësisë po vë në rrezik shëndetin e fëmijëve dhe familjeve të tyre:
“Në Kopshtin Xixëllonja, te Fusha e Aviacionit, në Njësinë Administrative nr 7 në Tiranë, kanë rezultuar 3 staf pozitivë me Covid-19, dhe një tjetër është i dyshuar.
Asnjë njoftim as për pjesën tjetër të stafit, as për prindërit e fëmijëve (janë rreth 200 fëmijë që shkojnë në atë kopsht).
Asnjë masë e marrë nga drejtuesit e Kopshtit, as tamponim për stafin, as izolim, as mbyllje e grupeve ku janë evidentuar edukatoret dhe sanitaret me COVID19.
Është kriminale të mos reagosh e të lësh në mëshirë të fatit dhjetëra staf të këtij kopshti si dhe qindra në institucione të tjera arsimore në të gjithë vendin.”