Partia Demokratike përmes Albana Vokshit e akuzoi Kryeministrin Rama se kërkon të mbyllë median online, i vetmi burim kritik ndaj qeverisë.
“Media online mbetet burim kryesor i informimit të publikut shqiptar, mjeti kryesor i transparencës së aferave korruptive e kriminale të qeverisjes së Edi Ramës. Prandaj, qëllimi i tij është shuarja e çdo zëri kritik ndaj qeverisjes së dështuar”, tha në deklaratën për shtyp Vokshi.
Vokshi e quajti kryeministrin Rama si kërcënimin kryesor të bllokimit të hapjes së bisedimeve me BE-në.
“Rishikimi i paketës ligjore të censurës për median online është 1 nga 15 kushtet që qeveria duhet të plotësojë, por partia në pushtet nuk ka ndërmend të veprojë sipas standardeve europiane”, shtoi Vokshi.
Ajo e akuzoi Ramën se kërkon të emërojë në krye të AMA-së, Miklen Mishën, “themelues i partisë G99 me Erion Veliajn, shkrues i fjalimeve të Edi Ramës”.
Kryeministri, sipas Vokshit po e kthen Autoritetin e Medias “në një gjykatë politike që ndëshkon gazetarët dhe mbyll portalet sipas interesit të Edi Ramës”.