Certifikatat e imunitetit brenda Bashkimit Europian mund të jenë gati për t’u përdorur brenda tre muajve, kështu deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë ditës së dytë të samitit virtual të BE.
Pasaporta e imunitetit do të jetë funksionale për ata persona që kanë marrë dozën e vaksinës, kanë një test negativ PCR ose që tashmë kanë krijuar antitrupa.
Sipas Deutsche Welle Von der Leyen citoi punën e Izraelit për ndjekjen dhe dokumentimin e historisë së vaksinimit të një personi, ndërsa theksoi rëndësinë e ruajtjes së funksionalitetit të tregut të përbashkët Evropian.
Teksa vendet si Greqia dhe Spanja, ekonomia e të cilave mbahet nga turizmi, e mbështesin fort një ide të tillë, vendet veriore sikundër Gjermania janë skeptike nëse mund të funksionojë.
Ndërkohë në Greqi, prej ditës së premte, kanë nisur të jepen certifikata digjitale vaksinimi. Qytetarët që kanë marrë dy doza të vaksinës kanë të drejtë të tërheqin një çertifikatë të tillë, pas aplikimit online.
Gati 40,000 çertifikata imuniteti janë lëshuar brenda 24 orëve nga fillimi i funksionimit të platformës.
Greqia renditet në vendin e 12-të midis 27 vendeve të BE-së për sa i përket vaksinimeve për 100 banorë.
Von der Leyen tha se vendet anëtare do të “duhet të veprojnë shpejt” nëse dëshirojnë që programi të zbatohet deri në verë.
Liderët e BE-së u dakordësuan një ditë më pare që të shtonin presionin ndaj kompanive të mëdha për të rritur kapacitetet prodhuese të vaksinave. Ata ripërsëritën thirrjen ndaj vendeve anëtare që të zbatojnë rregullat e përbashkëta kufitare dhe të lejojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe europianëve brenda tregut.