Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha të premten se Brukseli “nënvlerësoi sa e vështirë do të ishte për kompanitë farmaceutike të prodhonin vaksina të koronavirusit në një shkallë të gjerë”.
Në një intervistë me 10 organizata europiane, Von der Leyen tha se prodhimi i dozave të vaksinës kundër COVID-19 do të vazhdojë të jetë i pabarabartë gjatë muajve të ardhshëm.
Kompanitë përballen me rrezikun gjithnjë të pranishëm të mungesave në lëndët e para dhe përbërësit e tjerë, tha ajo.
Von der Leyen dhe Komisioni Europian janë përballur me kritika mbi ritmin e ngadaltë të vaksinimeve në BE.
BE pati një përplasje të ashpër me kompaninë AstraZeneca për një mungesë të madhe në prodhim, që bëri që Brukseli javën e kaluar të vendosë kufizime të reja të eksportit.
Në intervistë, Von der Leyen pranoi disa hapa të gabuar. Ajo tha se ka pasur një dështim për të kuptuar vështirësinë në prodhimin e vaksinave në shkallë të gjerë.
Ajo tha se Komisioni tani pret të marrë rreth 100 milion doza vaksinash në tre muajt e parë të këtij viti.
“Ne gjithashtu gjithmonë duhet të jemi të përgatitur që të kemi mungesë të lëndëve të para ose përbërësve në zinxhirët tanë të furnizimit në të gjithë botën. Kjo nuk duhet të nënvlerësohet”, tha presidentja e KE.
Ursula von der Leyen përsëriti mbrojtjen ndaj programit të përbashkët të blerjes së vaksinave të BE.
Ajo tha se do të kishte qenë “e paimagjinueshme” nëse disa vende të BE do të kishin qenë në gjendje të merrnin vaksina, por të tjerët jo.
Sipas saj do të kishte qenë vetë-shkatërruese, sepse vendet anëtare janë aq të ndërlidhura saqë ekonomitë nuk mund të rihapen pa u vendosur vaksinat në të gjithë bllokun.
Von der Leyen mbrojti vendimin e BE-së për të mos miratuar vaksinat në bazë emergjence siç kishte bërë Britania e Madhe, por përkundrazi për të ndjekur me të gjithë procesin rregullator nga Agjencia Evropiane e Barnave.