Vrasja e paralajmëruar e Fildeze Hafizit-nënë e dy fëmijëve dhe gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës ka shkaktuar zemërim në Tiranë dhe ka rikthyer në vëmendje dështimin e vazhdueshëm të institucioneve shqiptare për t’u ofruar mbrojtje viktimave të dhunës në familje.
Hafizi, 39 vjeç, u ekzekutua me dy plumba të enjten në Tiranë, ndërsa policia arrestoi si autorin e dyshuar të krimit, ish-bashkëshortin e gjyqtares, Fadil Kasemi, 53 vjeç.
Të dhënat e ofruara nga dokumentet gjyqësore tregojnë se 39-vjeçarja Hafizi ndodhej prej më shumë se dy vitesh nën kërcënimin e vazhdueshëm të ish-bashkëshortit të saj, Fadil Kasemi dhe ndonëse e kishte denoncuar në gjykatë dhe prokurori, nuk ia doli të parandalonte fundin e saj tragjik.
Sipas vendimit të Gjykatës së Kavajës së datës 28 prill 2016, Fadil Kasemi u arrestua për herë të parë më 19 korrik të vitit 2015-vetëm pak muaj pas divorcit, pasi e përndoqi ish-bashkëshorten deri në plazhin e Golemit me një pistoletë në çantë dhe e dhunoi atë në sy të të birit.
“Fildesi i është lutur që të mos i linte fëmijët jetimë si dhe ka tentuar t’i marrë çantën. Fadili ka reaguar duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë,” thuhet në vendimin e gjykatë.
Gjykata konstaton se çifti kishte pasur probleme dhe mosmarrëveshje kohët e fundit, të cilat e kishin shtyrë Hafizin të kërkonte urdhër mbrojtjeje në gjykatë dhe të kallëzonte ish-bashkëshortin në Prokurorinë e Tiranës për dhunë në familje dhe “kërcënim me pistoletë”.
Sipas vendimit, gjykata e kishte pushuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje për shkak të mosparaqitjes së Hafizit e po ashtu, edhe prokuroria kishte vendosur mosfillimin e procedimit penal më 13.04.2015.
Pavarësisht konstatimit të dhunës së përsëritur, trupa gjyqësore e drejtuar nga gjyqtari Luan Lusha vendosi më 28 prill 2016 dënimin me 3 vjet burg për Fadil Kasemin-i cili përfitoi më parë edhe nga gjykimi i shkurtuar.
Megjithatë, Kasemi u lirua vetëm 1 vit e gjysmë pas arrestimit për shkak të ligjit të qeverisë “Për dhënie amnistie”. Urdhri i lirimit të parakohshëm të Fadil Kasemit, të cilin BIRN e disponon tregon se ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës më 14 janar 2017, ndërsa iu falën 11 muaj e 8 ditë burg.
Publikimi i këtij fakti dhe i të dhënave të tjera që tregojnë se gjyqtarja Hafizi u braktis në fatin e saj shkaktuan reagime të forta në Tiranë.
Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë shprehu hidhërimin e thellë për vrasjen dhe “dënoi me ashpërsinë më të madhe krimin e kryer”.
“Dhuna në familje po kthehet në një fenomen mjaft të rrezikshëm për shoqërinë tonë, duke mos kursyer askënd: prindër, vëllezër, motra, fëmijë e veçanërisht gra, pavarësisht statusit social, detyrës që kryejnë apo moshës,” thuhet në reagimin e Unionit të Gjyqtarëve.
Ndërkohë, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë theksoi përgjegjësinë e shtetit në këtë ngjarje të rëndë, përmes një statusi të publikuar në Twitter.
“Të tmerruar! Një tjetër viktimë e dhunës në Shqipëri. Mbrojtja e grave nga kërcënimet është përgjegjësi e plotë e shtetit,” reagoi delegacioni i Bashkimit Europian, vetëm pak kohë pas krimit.
“Institucionet përkatëse të përgjigjen menjëherë. Gratë nuk duhet të jetojnë me frikë në dëshirën e tyre për ta jetuar jetën si të duan,” shtohet në reagim.
I tronditur për vrasjen dhe i keqardhur për braktisjen e 39-vjeçares u shpreh edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Jeta e humbur e Fildeze Hafizit është një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur,” shkroi Basha në Facebook.
Botuar më parë në median reporter.al