Një 28-vjeçar u vra dje, më 20 janar, me armë zjarri në zonën e Astirit në Tiranë.
Policia e ka identifikuar viktimën i cili është Vilson Tafçiu, por ai mbante dhe mbiemrin Noka.
Ai ishte nga qyteti i Dibrës dhe ndodhej në Tiranë për të marrë pjesë në një ceremoni mortore.
Në momentin e atentatit, i riu ka qenë në një lokal pranë Astirit. Dikush nga jashtë, ende i paidentifikuar, e ka thërritur Tafçiu të dalë jashtë, në pjesën anësore të lokalit, ku më pas viktima u qëllua.
Deri më tani është mësuar se viktima është ekstraduar dy vite më parë nga Franca dhe ka qenë i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.
Ai rezulton se ka shkuar në Francë më 7 mars 2018 dhe vetëm një javë më pas, më 12 mars, është arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Autoritetet franceze e kanë dënuar me një vit burg, prej ku ka bërë 8 muaj paraburgim dhe më 6 nëntor 2018 është deportuar në Shqipëri.