Vuçiç dhe Daçiç lënë të kuptohet se dialogu nuk përfundon me njohjen e Kosovës

Nga Exit News
Vuçiç dhe Daçiç lënë të kuptohet se dialogu nuk përfundon me njohjen e Kosovës

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç kanë lënë të kuptohet se dialogu Serbi – Kosovë nuk do të përfundojë me njohjen e ksaj të fundit.

Më 9 qershor, Vuçiç konfirmoi dëshirën e Serbisë për të dialoguar, por paralajmëroi se shteti i tij nuk do të tolerojë ultimatume, përfshi pritshmërinë për njohje nga Serbia.

“Ne jemi gati të bisedojmë, por nuk do të tolerojmë ultimatume nga Prishtina, që i dëgjojmë çdo ditë se kushti i vetëm është njohja nga Serbia, apo prezantimin e dëshirave të tjera dhe pretendime territoriale. Më vjen për të qeshur, sepse nuk mund të tregosh arrogancë përballë fuqive të mëdha.” – raportohet të ketë thënë Vuçiç për gazetarët.

Ai tha se Serbia gjithmonë do i thotë ‘Jo’ propozimeve për marrëveshje që rrezikojnë interesat e saj. “Derisa të vijë një zgjidhje të cilës mund t’i themi ‘Po’. Gjithsesi, unë ende nuk e kam parë një të tillë.” – përmbylli Vuçiç.

Për Radio Evropa e Lirë një javë më parë Vuçiç tha se nuk ishte i sigurt se cili ishte thelbi i dialogut me Kosovën, përderisa Serbia e konsideron atë pjesë të territorit të saj.

Ai shtoi se nuk do të bënte propozime për një marrëveshje por se do të presë të shohë çfarë do të propozojë pala tjetër.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç gjithashtu ka thënë se njohja e Kosovës është diçka që nuk do të ndodhë.

Agjencia e lajmeve Tanjung raportoi se në përgjigje të pritshmërisë së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të marrë nga dialogu njohjen e Kosovës, Daçiç tha se kjo nuk do të ndodhë.

“Nëse bëhet fjalë për njohje ose asgjë, atëherë jemi për asgjë. Të jemi të qartë për këtë.” I tha Daçiç gazetarëve. Ai shtoi se Serbia dëshiron që dialogu të japë një rezultat që garanton paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>