Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur se vendimi i Bashkimit Europian për të mos caktuar një datë për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është i padrejtë.
“Më vjen keq që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk u është dhënë datë për të filluar negociatat [për anëtarësim në Bashkimin Evropian]. Mendoj se është e padrejtë”, tha Vuçiç.
Presidenti serb ka njoftuar se më 29 qershor do të mbajë një video-konferencë me kryeministrat e Rama dhe Zaev, për “përmirësimin e marrëdhënieve brenda iniciativës rajonale të mini-Shengenit”.
Sipas Vuçiç njohja e lejes së punës për qytetarët në të tre vendet është aspekti më i rëndësishëm për Serbinë.
“Me këtë do të sigurojmë më shumë fuqi punëtore, që mungon në Serbi”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se pret që nga takimi të dalin vendime për veprime të përbashkëta kundër katastrofave natyrore dhe për qarkullim më të shpejtë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit.
Mini-Shengeni është një nismë e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes së cilës synohet krijimi i një tregu të përbashkët mallrash, shërbimesh dhe kapitali si dhe lëvizja e lirë e qytetarëve ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë.