Xhaçka cilëson sajesa politike akuzat e PD-së, mirëpret hetimet nga SPAK-u

Nga Exit News
Xhaçka cilëson sajesa politike akuzat e PD-së, mirëpret hetimet nga SPAK-u

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka hodhi sërish poshtë akuzat e opozitës për abuzime me tenderin 1,5 milionë eurosh të furnizimit me ushqime të rezervave te shtetit.

Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook, Xhaçka u shpreh se tenderi ishte bërë sipas ligjit dhe se akuzat e ngritura nga Partia Demokratike janë sajesa politike.

Për këtë ajo theksoi me optimizëm se kallëzimi prej Partisë Demokratike në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) do t’i japë të drejtë.

“E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK-un që ta hetojë me përparesi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi.

[…] i takon SPAK-ut të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës [epidemisë] ku jemi.

Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales.”

PD ka kallëzuar në SPAK Ministren Xhaçka, anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe dy kompani private.

Opozita akuzon Ministren se duke shfrytëzuar procedurat e emergjencës ia ka dhënë furnizimin me ushqime, me tender të paracaktuar dhe pa garë, kompanisë Eurovia dhe Xpert Systems, të cilat deri 6 ditë përpara tenderit nuk e kishin të deklaruar në veprimtarinë e tyre tregtimin e ushqimeve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>