Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj njoftoi sot ristrukturimin e policisë së Elbasanit, nisur nga ngjarjet e ditëve të fundit me pjestarët e familjes Capja.
Gjatë një takimi me policët e Elbasanit, Zoti Xhafaj pohoi:
“Çapajt nuk mund të simbolizojnë këtë qytet me vlera si Elbasani. Ata dhe të tjerë do të marrin ndëshkimin e merituar.
Lind nevoja për ta riformatuar gjithë këtë strukturë, duhet një ristrukturim i plotë në nivel qarku dhe në nivel komisariati.
Çdo gjë kërkon kohën e vet, pasi cdo gjë e nxituar nuk mund të japë eficencën.
Këtu janë atashuar specialistët më të mirë, janë ekspertët më të mirë që po merren me hetimin e grupeve kriminale dhe nuk mund të bëhet brenda një ditë.”
Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që policia e Elbasanit ristrukturohet, por krimet dhe përplasjet mes bandave kriminale në qytet vazhdojnë.
Dy muaj më parë, Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, shkarkoi të gjithë drejtuesit e policisë në qarkun e Elbasanit për paaftësi për ngjarjen e 18 shtatorit, ku makina e një prej krerëve të bandës së Elbasanit përplasi makinën e policisë, e këta të fundit nuk bënë asgjë për të ndaluar dhunuesit.
Si Zoti Çako ashtu dhe Ministri Xhafaj nuk kanë mbajtur në asnjë moment përjegjësi personale, pavarësisht se situata e krijuar muajt e fundit në Shqipëri, me një seri krimesh të rënda e përplasje mes bandash, ku në të gjitha rastet policia ka dështuar të arrestojë autorët, ngre pikëpyetje të mëdha jo vetëm mbi punën e drejtuesve të qarqeve, por dhe mbi punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.