Në një intervistë për gazetaren Valmora Goga të Shuplaka.com, Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë foli për çështjet e nxehta në vend si reforma në drejtësi, bojkoti i zgjedhjeve nga opozita, emërimi i ministrit të brendshëm dhe kanabizimin e vendit.
“E gjithë filozofia politike e Kryeministrit Rama është e bazuar në propagandë dhe në eleminimin e kundërshtarit”, u shpreh Zoti Manjani.
Për çadrën e opozitës, ai tha se ” është një element presioni ndaj Kryeministrit Rama. LSI-ja është një element tjetër presioni. Mosmbyllja e koalicionit në kohë siç e priste ai [Kryeministri], natyrisht që i shton presionin”.
Pyetur për vazhdimin e koalicionit PS-LSI, Zoti Manjani u shpreh: “Rama nuk është komod të dalë më vete, i duhet LSI-ja!”
Zoti Manjani foli për përhapjen e kanabisit në vend duke e cilësuar si alternativën e vetme ekonomike të kësaj qeverie.
“Alternativa e vetme demokratike e kësaj qeverie është të dëgjojmë propagandën e saj dhe të votojmë nën kushtet e kanabisit. Zgjedhjet sot rrezikohen nga kanabisi”— theksoi ai.
Ndërsa për refromën në drejtësi ish-ministri tha se do të dështojë: “I vetmi rol i reformës ka qënë shmangja e presidentit dhe rritja e ndikit të politikës në emërimet në drejtësi. Shteti që kemi projektuar pas ndryshimeve kushtetuese është një shtet i miksuar me portretin e Lu-së, gojën e Ramës dhe shtatin e Romanës.”
“E vetmja gjë të re që ka sjellë reforma, ishte si ta bëjmë që të largojmë presidentin e Republikës nga Gjyqësori. Si ta ndajmë tortën e emërimeve dhe shkarkimeve në mënyrë politike, si të krijojmë sa më shumë institucione ku askush nuk merr vesh asgjë dhe të krijojmë një sistem kaotik me qëllim që të ndërhyhet në mënyrë selektive”— tha ai. Ndër të tjera, Zoti Manjani foli për:
Emërimin e Fatmir Xhafajt
- Kryeministri ka dashur ta hapë këtë temë për të shmangur vëmendjen, për të orientuar opinionin publik te Fatmir Xhafaj. Opinioni duhej të orientohej te Edi Rama, i cili po qeveris keq dhe shumë keq, i cili drejton sot një qeveri që ka kanabizuar vendin.
Përdorimin e propagandës
- Sa herë ju duhet që të shmangin vëmendjen nga një çështje themelore, krijojnë personazhe, krijojnë histori dhe çështje të vjetra.
- Çfarë thotë qeveria? “Vettingu, gjykatësit, vrasësit serialë”. Pra gjithë “faji”, në mënyrë propagandistike u kalua te gjykata, a thua se qeveria ishte më e mira.
- Procesi i reformës ishte i mbyllur, hapej vetëm për propagandë, ftohej ambasadori amerikan për të thënë jo ”orat”, ”jo brryli”, ”jo kthesat”, e cila ishte propagandë, asgjë tjetër!
- E gjitha ishte pjesë e një propagande, e ndërtuar në Kryeministri për të fajësuar gjykatat dhe për të mbrojtur qeverinë.
- Sot opinioni publik është i karikuar në mënyrë të tillë sikur ky Vettingu për shembull do zgjidhi Shqipërinë. Dhe kjo është pjesë e propagandës.
- Kur ju pyesni ndonjë ministër aksidentalisht për ndonjë pyetje konkrete, keni dëgjuar ndonjë përgjigje ju?! Ca mërmëritje kot të pavlera sepse në këndvështrimin e tyre, ministrat janë pjesë e propagandës së kësaj qeverie.
- Kryeministri ka problem me fjalën e lirë dhe me njerëzit që mendojnë.
- Sipas kryeministrit, ministri nuk duhet të ketë ide, mendim dhe kur e ka duhet ta shtypë.
Shkarkimin e Saimir Tahirit
- Shkak për shkarkimin e tij është e gjithë sjellja si një kryepolic për disa ngjarje që nuk kishte përgjigje. Për shkakun se i kishte marrë të gjitha mbi vete, i binte që do kishte kosto politike. Mbajti një kosto që nuk është e tij, duhet ta themi. Është e Ed Ramës, nga ”A”-ja te ”ZH”-ja.
- Ç’ishte ajo ”Faleminderit Saimir!”?! Policia e Shtetit falenderon Saimirin? Kush do na garantojë zgjedhje ne? Këta që thonë ”Faleminderit Saimir”?!
Kanabizimin e vendit
- Në gjithë zonat rurale të Shqipërisë, është masiv tani, nuk është më një Lazarat. Në zona rurale sot, në veri dhe në jug, përfshi edhe Shqipërinë e Mesme refuzohet të punohet toka e ligjshme për të shkuar në pyll për të vaditur kanabis. Është ofertë joshëse.
Bojkotin e zgjedhjeve nga opozita:
- Të mos hyjë opozita në zgjedhje nuk është gjë e vogël. Zgjedhje pa opozitën nuk ka!
- Opozita sado e dobët të jetë nuk mund ta trajtosh në mënyrë arrogante, por arroganca e tij [Ramës] vjen nga një filozofi shumë e rrezikshme që ai e mbart në vetvete që është filozofia e eleminimit të kundërshtarit.
- Në çastin që bihet dakord që do hyjmë në zgjedhje, nuk kemi pse ta shtyjmë atë datë por mundësisht ta afrojmë sepse vendi nuk ka qeveri. Kryeministri ka abroguar qeverinë, nuk është më kryeministër.
Për koalicionin PS-LSI
- LSI ka bërë një tolerancë shumë të madhe në 2013-të (për të bërë koalicion me PS]. Kemi taksën progresive, s’ka qenë e jona ajo. Ka qenë e PS-së! Kemi toleruar shëndetësinë falas, fasonët, Ligjin e Arsimit. Ne nuk kemi qenë për koncesionimin e çdo gjëje.
- Rama nuk e ka dashur dhe nuk e do LSI-në. Rama e ka dashur LSI-në për të fituar zgjedhjet por gjithmonë pas zgjedhjeve me LSI-në nuk ka qenë korrekt!
Reformën në drejtësi:
- Në qendër të ndërtimit të institucioneve të drejtësisë është vendosur Parlamenti. Parlamenti çfarë është? Është shumica e radhës. Pra nuk është shpëtuar procesi nga ndikimi politik, përkundrazi është vendosur nën varësinë politike. Ky është një problem që do ngelet.
- Kanë ndryshuar vetëm formulat e institucioneve, kush do ketë më shumë rol, cila pozitë dhe cila opozitë, presidentin e kanë përzënë sepse është ”armik” dhe kanë mbyllur praktikisht edhe Ministrinë e Drejtësisë.
- Do përjashtohej fare opozita nga roli i saj dhe me vota të blera nga radhët e opozitës do bëheshin ato 94 votat dhe do mbyllej kjo histori. Ishte në lojë ky skenar që tregon filozofinë e arrogancës dhe eleminimit të opozitës.
- Hetimi penal duhet të ishte një nga shtyllat themelore të Reformës në Drejtësi sepse në Shqipëri nuk hetohet, dosjet gjymtohen nga provat, shkojnë gjysmake në Prokurori, edhe në gjykatë. Pra fajin nuk e ka gjykata.
- Kodet e Procedurave që po i mbyll tani Komisioni i Ligjeve, janë të gjitha skandaloze, nuk sjellin asgjë të re. Absolutisht asgjë të re. Unë e kam kritikuar këtë sepse hoqën dorë nga definimi i rolit të Prokurorit që ishte thelbi. […] Nuk u pranua, u hodh poshtë.
- Çuditërisht të gjithë ekspertët që u ftuan [në procesin e hartimit të reformës] ishin pjesë e Fondacionit SOROS. Nuk pati asgjë jashtë Fondacionit SOROS!